Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës/ Facebook

LDK me propozime për tejkalimin e ‘krizës së papërballueshme për qytetarët’

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë disa propozime konkrete për tejkalimin e krizës, e cila sipas LDK-së tashmë është e papërballueshme për qytetarët.

“Në këtë kohë krize, heqja e TVSH-së për produktet bazike si dhe heqja e akcizës për produktet e energjisë për një periudhë të caktuar kohore, politika tatimore që kanë ndikim të drejtpërdrejte në rritjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, do të ishin politika të duhura për menaxhimin sa më të lehtë të kësaj situate të rëndë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga LDK.

FOTO: LDK

Sipas LDK-së, pushteti ka zgjedhur që krizat e thella t’i trajtojë me lëmoshë, vetëm për një muaj.

“Përveç rritjes enorme të çmimeve të produkteve bazike, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vendi jonë në muajin mars ka arritur normën rekord të inflacionit prej 10%”, thuhet në njoftim.

LDK thuhet se pushteti akoma nuk i ka funksionalizuar institucionet e pavarura, si: Organi Shqyrtues i Prokurimit, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Komisioni i Ndihmës Shtetërore.