LDK lidh koalicion me AKR-në dhe PD-në në Mitrovicë - Foto: KALLXO.com

LDK lidh koalicion me AKR dhe PD në Mitrovicë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë marrëveshje me Aleancën Kosova e Re dhe Partinë e Drejtësisë në Mitrovicë për zgjedhjet lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Safet Kamberi, kryetar i degës së LDK-së në Mitrovicë, ka thënë se për tre muaj kanë pasur një koordinim të aktiviteteve me AKR-në dhe Partinë e Drejtësisë, kurse sot e kanë parë të arsyeshme që të gjitha këto aktivitetet t’i bashkojnë në një marrëveshje.

Me këtë marrëveshje ndërmjet këtyre tri partive politike është formuar edhe grupi më i madh politik në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.

Kamberi tha se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është bashkimi i aktiviteteve lokale politike për të mirën e qytetarëve në komunën e Mitrovicës.

“Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është bashkëpunimi dhe koordinimi i të gjitha aktiviteteve të cilat kanë të bëjnë me politikat lokale në komunën e Mitrovicës. Njëra ndër pikat tjera të bashkëpunimit në mes të LDK-së, AKR-së dh PD-së do të jenë pa dyshim edhe zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në vitin 2021“, theksoi ai.

Safet Kamberi shtoi se qëndrimet do të jenë të koordinuara dhe do t’i ngrenë të gjitha ato shqetësime të cilat janë në interes të qytetarëve.

Ndërsa Nysret Qubreli, u.d. i kryetarit të AKR-së në Mitrovicë ka thënë se tani si tri subjekte më të fuqishme në kuvend do të bashkëpunojnë për të mirën e qytetarëve.

“Duke parë situatën në komunën e Mitrovicës që është e palakmueshme, nuk është e mirë, kemi vendosur që të punojmë në të gjitha pikat që do të jenë në komitetin për politikë dhe financa në Asamble, të bashkëpunojmë ne si tri subjekte politike si më të fuqishmet tani në kuvend… të arrijmë që të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve“, tha Qubreli.

Vesel Neziri, kryetar i PD-së në Mitrovicë, shprehu bindjen për një bashkëpunim të sinqertë ndërmjet këtyre partive.

“Ka ardhur momenti që ne si tre subjekte të ngritim zërin fuqishëm dhe të ecim tutje, ky bashkëpunim besoj se do të jetë i sinqertë në të mirë të Mitrovicës dhe qytetarëve të saj“, tha Neziri.