LDK ende nuk ka vendosur nëse do ta përkrahë pakon emergjente të propozuar nga PDK

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nesër në ora 10:00  do të mblidhet për të diskutuar nëse do të mbështesë pakon emergjente të propozuar nga PDK-ja në vlerë prej 320 milionë eurove.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Arben Gashi, shef i grupit të LDK-së, i cili nuk ka dashur të komentojë nëse do ta përkrahin apo jo.

“Grupi parlamentar i LDK-së do të mblidhet nesër në ora 10:00 për ta diskutuar këtë çështje dhe do të marrim vendim”, ka thënë shkurt ai.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe zyrtarë nga Nisma Socialdemokrate për të marrë informacion nëse do ta përkrahin pakon e propozuar nga PDK por kanë qenë të paqasshëm.

Sot, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përmes nënkryetarit, Shaqir Totaj, në një konference për media, u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të miratojnë pakon emergjente të propozuar nga PDK, prej 320 milionë eurove.

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të nesër në një seancë të jashtëzakonshme, nga ora 11:00, të thirrur nga PDK-ja e cila ka propozuar një pako emergjente për shkak të situatës së krijuar nga coronavirusi.

Qeveria në detyrë ditë më parë ka miratuar Pakon emergjente në vlerë 170.6 milionë euro, por sipas PDK-së kjo nuk është e mjaftueshme.