PDK bën thirrje që të miratohet pako emergjente prej 320 milionë eurove

Partia Demokratike e Kosovës përmes nënkryetarit, Shaqir Totaj, në një konference për media, i ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të miratojnë pakon emergjente të propozuar nga PDK, prej 320 milion eurove.

Sipas Totajt, Pako Emergjente aktuale e Qeverisë ka shkelje ligjore.

“Ndërkohë që e gjithë bota është e ngritur në këmbë kundër pandemisë, buxheti i qeverisë Kurti nuk ka parashikuar fondet e nevojshme për të përballur këtë sfidë të madhe. Ne propozuam një paketë emergjente gjithëpërfshirëse prej 320 milionë për t’i ardhur në ndihmë sektorit privat në këtë periudhë të rëndë dhe i ofruam qeverisë së shkarkuar bashkëpunimin tonë duke e ftuar që të vinte në kuvend për plotësim ndryshimin e buxhetit”, ka thënë Totaj.

Totaj  ka thënë se për këtë arsye PDK-ja ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të bërë të mundshme një pako emergjente për shpëtimin e ekonomisë.

“Partia Demokratike e Kosovës propozimin e saj për pakon 320 milionë euro e bazon tek tre burime të sigurta financimi, duke mos rrezikuar stabilitetin makro-fiskal. Prandaj ne i bëjmë thirrje të gjitha partive parlamentare që të lëmë mënjanë ndasitë politike, por të bëhemi bashkë për ta plotësuar dhe miratuar pakon që do të mundësojë shpëtimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë sonë”, ka deklaruar Shaqir Totaj në konferencë.