Lajçak në Paris merr mbështetjen e Francës për dialogun Kosovë-Serbi

Vizitën e parë në vitin 2024 i deleguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e ka bërë në kryeqytetin francez, Paris.

Ai është pritur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Presidencën e Francës.

Lajçak ka falënderuar Francën për mbështetjen e fortë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar dhe lehtësuar nga Bashkimi Europian.​

“Sapo përfundova vizitën time të parë të vitit 2024, e cila më çoi në Paris. Pata takime shumë të dobishme dhe të rëndësishme në Ministrinë për Europë dhe Punët e Jashtme dhe në rezidencën zyrtare të Presidentit të Republikës Franceze për t’u përgatitur për muajt në vazhdim. Falënderues për mbështetjen e fortë të Francës për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian dhe për punën time” – ka shkruar Lajçak në rrjetin social X (ish-Twitter).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qenë kritik disa herë ndaj punës së Lajçak, duke e akuzuar madje për koordinim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.