Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lajçak: Me kryenegociatorët do të punojmë për zhbllokim të zbatimit të marrëveshjes

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka paralajmëruar se në takimin me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, më 02.07.2024 në Bruksel, do të punojnë për hapa konkretë për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve.

“Diskutime sfiduese si kurrë më parë” – i ka cilësuar Lajçak takimet e datës 26.06.2024, kur ai me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell zhvilluan takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Javën e kaluar, Borrell dhe unë pritëm Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti në Bruksel për një tjetër takim të Dialogut Beograd-Prishtinë. Fatkeqësisht, nuk kemi parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Diskutimet ishin sfiduese si kurrë më parë. Megjithatë, puna jonë vazhdon nesër kur do të mbledh kryenegociatorët për të përpunuar hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të Marrëveshjes”- ka shkruar Lajçak në Facebook.

Me ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen më 02.07.2024 në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Nga BE-ja kanë bërë të ditur se palët do të diskutojnë për “nisjen urgjente me zbatim të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

Takimi mes dy kryenegociatorëve u paralajmërua edhe javën e kaluar në Bruksel, nga përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Në anën tjetër, më 26.06.2024 Borrell zhvilloi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, porse një takim trepalësh nuk ndodhi.

Kështu ndodhi pasi Kurti kishte prezantuar tri kushte për angazhimin e tyre të mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve.

Kryeministri theksoi se përmes tri kërkesave ka kërkuar garancion për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët, sipas tij, mundësojnë zbatimin e marrëveshjes.

Kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviq kanë mbajtur një sërë takime trepalëshe me ndërmjetësim të Lajçak, porse të gjitha kanë qenë me fokus në çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron si valutën e vetme në vend.

Edhe pas shtatë takimeve, palët nuk kishin arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.