Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lajçak: Asociacioni duhet të zbatohet

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë edhe njëherë se marrëveshja për Asociacionin është dakordim dhe duhet të zbatohet.

“Kosova është palë e barabartë në dialog, që nënkupton se asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës pa marrëveshjen e Kosovës. Askush nuk dëshiron një republikë serbe, ato çfarë janë dakorduar duhet të zbatohet, asociacioni është një prej tyre”, tha ai.

Tutje Lajçak tha se në dialog nuk do të diskutohet për statusin e Kosovës.

“Mandati im është shumë i qartë, unë jam këtu të lehtësoj një marrëveshje gjithëpërfshirëse. BE-ja duhet të bëjë të qartë që Serbia dhe Kosova të vendosin se çfarë duan të kenë, dialogu nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës”, tha Lajçak.

Tutje Lajçak ka theksuar se në vitin 2021 ka pritur më shumë progres në dialog.

“Ditët kanë qenë shumë produktive e kemi bërë të qartë se ne respektojmë parimet e Kosovës në dialog, që është rendi kushtetues dhe integriteti territorial. BE-ja ka pritur më shumë progres në vitin 2021, shpresojmë që kjo do të jetë në vitin 2022. Shpresoj që ky proces do të rezultojë në më shumë dukshmëri dhe në arritje, të mos keni dyshim për këtë”, theksoi ai.

Lajçak së bashku me Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë qëndruar këto dy ditë në Kosovë ku kanë zhvilluar takime me liderët shtetëror si dhe partitë opozitare.