Kuvendi zgjedh Hajrije Morinën për drejtore të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit

Hajrije Morina është zgjedhur drejtore e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU). Morina është zgjedhur me 56 vota nga deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme. Procedura e zgjedhjes së drejtorit ka vazhduar përmes votimit të fshehtë.

Kundërkandidat i Hajrije Morina, ishte Lulëzim Rexhepaj.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë lëshuar sallën dhe nuk kanë marrë pjesë në votimin e drejtorit të ri të këtij institucioni.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Arben Gashi, kritikoi votimin e drejtorit me procedurë të fshehtë.

“Po kërkojë interpretim si kryesues i Kuvendit, cila është logjika me votu në mënyrë të fshehtë ku shkarkimi bëhet i hapur si të rasti i RTK-së, cila është logjika që dikush me u zgjedh në mënyrë të fshehtë, keni këshillë juridikë, do të mbani përgjegjësi kushdo që ka bërë shkelje proceduriale, sepse ju kemi paralajmëruar. Është shkelje të drejtave të njeriut, e procedurave, e kushtetueses. Po du me besu që dikush ju ka keqorientu qëllimisht”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca u kundërpërgjigj duke thënë se gjithmonë ka shkuar në këtë procedurë.

“Prej përvoje në këtë Kuvend kjo procedurë ka ndodhë gjithmonë kështu, nëse herëve të tjera kanë qenë mirë, atëherë mirë është edhe kësaj radhe. Nëse po mendoni që nuk është mirë dhe nuk e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, atëherë mund ta dërgoni për herë të parë”, tha Konjufca.

Kuvendi sot shkarkoi edhe Bordin e RTK-së.

Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet pas zgjedhjes së drejtorit të ri të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.