Foto: Glauk Konjufca, Facebook

Kuvendi shënon Ditën e Demokracisë, Konjufca: Demokracia është e vetmja alternativë e një bote të progresit

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Kuvendi i Kosovës ka hapur dyert për qytetarët.

Për të shënuar këtë ditë, në këtë institucion janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, të cilave u ka prirë një deklaratë e kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Ai tha se demokracia është e vetmja alternativë e vlerave dhe vizionit të një bote të progresit, të drejtësisë dhe paqes afatgjate, barazisë dhe dinjitetit.

“Mes propozimeve autokratike dhe teknokratike, si përplotësuese të njëra-tjetrës, ku qytetarët bëhen spektatorë të fatit të tyre të dyshimtë, duhet të angazhohemi gjithnjë për të fuqizuar modelin e qytetarit të aktit politik dhe qytetar, çdo ditë dhe kudo. Sot më shumë se kurrë na duhet qartësia që na ofron demokracia me vlerat e saj”- tha ai.

Sipas tij, sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës ndihej atmosferë e larmisë së imagjinatës së ushtruar nëpër ecurinë e aktiviteteve dhe e natyrshmërisë së pranisë qytetare në institucionin përfaqësues të demokracisë, atë të fjalës së lirë për interes publik.

Kryetarja e Forumit  për Transparencë Parlamentare, deputetja Arbëresha Kryeziu, tha se Kosova duke u radhitur e treta në botë sa i përket të qenurit vend demokratik.

“Ky progres është arritur sepse ka pasur përfshirje të qytetarëve, të shoqërisë civile, për të ndërthurur vlerat e demokracisë me iniciativat për transparencë dhe llogaridhënie në nivel qytetar”- tha ajo.

Ndërsa, anëtarja e Forumit, deputetja Blerta Deliu Kodra, tha se  Kosova përbën një shembull të mirë të rrugëtimit për të ndërtuar institucione të pavarura dhe demokratike,

“Forumi ka bërë një punë të mirë dhe është një vlerësim i përgjithshëm që forumi për transparencë parlamentare brenda Kuvendit të Kosovës bashkë më organizatat e shoqërisë civile me akterë të tjerë me staf të kuvendit është përpjekur që këtë institucion ta bëjë sa më të hapur, sa më të qasshëm, për qytetarët dhe të gjitha kategoritë”- ka thënë ajo.

Për të shënuar këtë ditë në hollin e Kuvendit të Kosovë është mbajtur panairi i organizatave të shoqërisë civile.