Ilustrim

Arrihet konsensusi, Kuvendi miraton marrëveshjet ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare të cilat kishin mbetur në agjendën e legjislativit për muaj me radhë.

Miratimi u tyre u bë i mundshëm me pjesëmarrjen në votim të deputetëve nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës nuk morën pjesë në votim pasi sipas tyre, Kosova është ende nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

Me 83 vota për ka kaluar Marrëveshja e financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

Me 83 vota për është votuar edhe projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

Me 83 vota për është votuar projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve. 

Në anën tjetër, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, nuk ka kaluar pasi LDK-ja dhe AAK-ja e kundërshtuan.

Aktualisht ligjvënësit po diskutojnë marrëveshjet tjera ndërkombëtare që janë në shqyrtim.

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, u pat kushtëzuar me “shpërbërjen e Parlamentit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje”, nga një pjesë e opozitës, e në anën tjetër me mos përgjigje në pyetjet parlamentare nga ana e ekzekutivit, deri në miratimin e ujdive.

Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon dy të tretat e votave (80) të cilat, Qeveria Kurti e ka pasur të vështirë t’i mbledhë tash e sa muaj, deri në arritjen e konsesusit me AAK-në pasi LDK-ja ishte deklaruar se është pro marrëveshjeve.

Me miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare parashihen investime deri në 300 milionë euro.

Kuvendi para një episodi të ri në serinë për marrëveshjet ndërkombëtare