Kuvendi i Kosovës nis punimet e Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, kërkohet liberalizimi i vizave

Kuvendi i Kosovës po mban punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Konferenca ndërkombëtare, me temën “Të jesh në hap me Evropën”, po zhvillon punimet online ku po marrin pjesë përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, BE-së dhe më gjerë.

Në hapje të Asamblesë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se riafirmon angazhimin e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin rajonal, duke e bërë veten një partner të besueshëm në rajon që garanton stabilitetin, paqen dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

“Në fakt, Kosova tashmë e ka provuar këtë në faza të ndryshme të historisë. Unë do ta konfirmoj këtë përkushtim në seancën plenare të së mërkurës me kryetarët e Parlamenteve nga anëtarët e SEECP dhe partnerët e tjerë”, tha Osmani.

Ajo kërkoi që BE-ja të heqë vizat për Kosovën.

“Shpresoj që shtetet anëtare të BE-së do ta dëgjojnë thirrjen tonë me zë të lartë për trajtim të drejtë të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe të japin liberalizimin e vizave pasi janë përmbushur të gjitha kriteret”, theksoi kryeparlamentarja.

Osmani fjalimin kryesor të saj do ta mbajë të mërkurën, në sesionin e 7-të plenar të Asamblesë Parlamentare të SEECP, ku do të marrin pjesë kryetarët e Parlamenteve të shteteve të ndryshme.

Ndërkaq, Nataliya Apostolova shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së foli mes tjerash rreth ndihmës së BE-së në menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

“Ballkani Perëndimor është një përparësi absolute për BE-në. Lidhur me rikuperimin nga efektet e pandemisë për rajonin janë implementuar dhe planet e investimeve që do të përqendrohen në infrastruktën e transportit dhe energjisë. Është tejet e rëndësishme natyrisht është bashkëpunimi rajonal si reagim ndaj sfidave”, tha ajo.

Apostolova përmendi edhe vizitën në Kosovë të përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak.

“z. Lajçak sapo vizitoi Kosovën, për të vazhduar që të punojë fort për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ajo, duke përmendur rëndësinë që Kosova të vazhdojë me reformat në fusha të ndryshme, përfshirë sundimin e ligjit si luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Sa i përket liberlaizimit të vizave, ajo shtoi se e kupton frustrimin e qytetarëve të Kosovës lidhur me këtë temë.

“E kuptojmë plotësisht frustrimin dhe po, ne duam që njerëzit e Kosovës të udhëtojnë lirshëm sa më shpejt që është e mundur. Vendimi tashmë është në duart e shteteve anëtare”, shtoi Apostolova.