Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari Lila: A nuk po i besoni prokurorisë, apo e konsideroni veten hetues me të aftë?

Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila e ka konsideruar hap të ngutshëm kërkesën e LDK-së për formimin e Komisionit hetimor parlamentar për hetimin për procedurat e furnizimit me rezerva shtetërore.

Ajo ka thënë se Prokuroria e Shtetit ka reaguar tashmë lidhur me këtë çështje duke arrestuar persona të dyshuar.

Kusari – Lila ka pyetur deputetët nënshkrues të kësaj kërkesë, nëse nuk po i besojnë Prokurorisë në hetimin e këtij rasti.

“Aktualisht ky hetim parlamentar synon të bej paralelizëm për diçka që organet e rendit janë të përfshira. Pyetja për deputetët është e thjesht, a nuk po i besoni prokurorisë, apo e konsideroni veten hetues me të aftë se Prokuroria dhe Policia e vendit” – tha Kusari–Lila.

Ajo ka përmendur një shembull kur prokurorisë i janë kërkuar informacione për hetim parlamentar, dhe sipas saj Kuvendit nuk i është lëshuar ndonjë dokument.

“Për të ju përkujtuar si funksionon hetimi parlamentar – Ne fillimisht kemi kërkuar informacione nga Prokuroria për rastet që janë në prokurori. Dhe asnjë dokument i vetëm nuk i është lëshuar Kuvendit. Kjo ka qenë rasti me komisionin hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë”- tha ajo.

Ditë më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar tek kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kërkesë për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se ky komision sipas tij do të hetojë edhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me këto rezerva.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar ditë më parë nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.