Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Zgjedhjet të mbahen sa më parë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sapo ka përfunduar takimin me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani.

Pas takimit, ish- kryeministri Kurti ka kërkuar që sa më shpejtë të shkohet në zgjedhje.

“Kemi humbur shumë kohë, duhet të kthehemi te populli sa më shpejtë. Duhet të kemi një qeveri të re e kompetente e cila e nxjerrë Kosovën nga kriza e shumëfishtë.Nuk kemi folur për datë të zgjedhjeve por kemi kërkuar sa më parë, e kjo varet nga dita kur neve do të na vije aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Kurti ka thënë se janë në pritje të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtuese para se të komentojnë këtë vendim.

“Neve na duhet që ta marrim aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe varet kur ta marrim të plotë dhe pas kësaj mund të shpallet data e zgjedhjeve nga Ushtruesja e detyrës nga presidentes në një hark kohor siç e parasheh kushtetua”, tha në mes tjerash Kurti.

Ai ka folur edhe për mundësinë e koalicionit dhe kandidatin e kësaj partie për kryeministër.

“Ne si subjekt politik që jemi të parët, padyshim që do të jemi shumicë e ardhshme, mirëpo formalizimi e vendimi qoftë për koalicionin qoftë për kandidatin për kryeministër bëhet në Këshillin e Përgjithshëm të LVV.Sot kam pasur diskutim me ushtruesen e detyrës së Presidentes dhe nuk kemi folur për çështje elektorale”, tha Kurti kur u pyet nëse do të mund të bashkëpunoj në zgjedhje me Vjosa Osmanin.

Kushtetuesja mbrëmë ka vendosur për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, duke e shpallur antikushtetuese zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Historia e rrëzimit të qeverive në Kosovë