Historia e rrëzimit të qeverive në Kosovë

Për një vit kalendarik, Kosova priti e përcolli dy qeveri.

Qeveria Kurti u rrëzua në mes të pandemisë, kurse ajo Hoti dje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

E përbashkëta e këtyre dy qeverive është se të dyjat ishin të jetëshkurtra, Qeveria Kurti qëndroi në pushtet vetëm 52 ditë, ndërsa ajo Hoti, 170 ditë.

Më 23 mars të këtij viti përmes një mocioni të mosbesimit të iniciuar nga partneri i koalicionit LDK-ja, Kuvendi i Kosovës me 82 vota votoi pro rrëzimit të qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Pak muaj më vonë, partneri i këtij koalicioni LDK-ja, formoi një koalicion tjetër së bashku me AAK – NISMA-AKR – Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Ky koalicion më datën 2 qershor, mori bekimin e 61 deputetëve për të udhëhequr me qeverinë vendit.

Mirëpo vota e deputetit, Etem Arifi, e cila konsiderohet të ketë qenë vendimtare për këtë qeveri, u shpall e pavlefshme dje nga Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuesja ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, si dhe ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.

Përderisa të gjitha qeveritë e kaluara janë rrëzuar për shkak të mocioneve të mosbesimit, dorëheqjeve apo vendimeve të Kushtetueses që nuk kanë qenë të lidhur drejtpërdrejt me votimin e qeverisë, kjo e udhëhequr nga Avdullah Hoti u shkarkua nga Gjykata Kushtetuese.

As Hoti, ashtu si Kurti, Haradinaj, Mustafa e Thaçi nuk arriti ta përfundoj mandatin e tij 4 vjeçar në krye të ekzekutivit.

Haradinaj – Kryeministri i dorëheqjeve

Me 9 shtator të vitit 2017, ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës për të dytën herë pas 13 vitesh. Ai mori 61 vota, përkundër asaj se koalicioni qeverisës përbëhej prej 22 partive.

Mirëpo 19 korrik të vitit të kaluar ish-kryeministri Ramush Haradinaj para kabinetit qeveritar ofroi dorëheqjen e parevokueshme, për shkak të siç deklaroi ai  ‘ftesës në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale’.

“Arsyeja e këtij vendimi që e kam marrë është për shkak të thirrjes së marrë nga dhomat e Specializuara si i dyshuar. Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë, shkoj si Ramush Haradinaj”, pati thënë ai.

Pasi përfundoi intervistimin, Haradinaj kërkoi prapë edhe një mandat të ri për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit. Koalicioni AAK-PSD 100 për qind Kosovë u radhit i 4-ti me 96 mijë e 872 vota.

Haradinaj nga këto zgjedhje siguroi vetëm ulësen si deputet, mirëpo dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Haradinaj kishte qenë kryeministër i Kosovës edhe para shpalljes së Pavarësisë.

Për herë të parë, ai u zgjodh kryeministër i Kosovës më 3 dhjetor të vitit 2004, për ta mbyllur mandatin e tij më 8 mars 2005, pas një aktakuze për krime lufte të ngritur nga Gjykata e Hagës. Vite më pas ai u shpall i pafajshëm nga akuzat të cilat e rëndonin ndaj tij.

Qeveritë e rrëzuara të Kosovës

Mandatin e tyre si kryeministra nuk kanë arritur ta përfundojnë as ish-presidenti Hashim Thaçi në dy mandate si kryeministër, e as kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër për herë të parë më 2007, përmes një koalicioni të madh me LDK-në.

Ky koalicion në atë kohë me Hashim Thaçin kryeministër, Jakup Krasniqi kryetar Kuvendi dhe Fatmir Sejdiu president i shtetit, i la në opozitë AKR-në, AAK-në dhe LDD-në.

Por, Thaçi nuk arriti ta çojë mandatin deri në fund dhe në 2010 vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme.

Deri te zgjedhjet erdhi pasi që Fatmir Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të vendit për shkak të opinionit të Gjykatës Kushtetuese se presidenti nuk mund të ketë rol edhe në parti politike.

Sejdiu përveç presidentit të vendit kishte qenë edhe kryetar i LDK-së, por paraprakisht e kishte ngrirë postin partiak, por që ky akt nuk kishte mjaftuar në gjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Zgjedhjet e 2010 e nxorën përsëri Hashim Thaçin dhe PDK-në të parën nga partitë politike në Kosovë me 32 deputetë, ndërsa LDK-në me 29. Thaçi ishte bërë bashkë në 2010 me AKR-në e Behgjet Pacollit, të cilit ia premtoi postin e Presidentit.

Por, Pacolli e mbajti këtë post vetëm një muaj për shkak se në këtë rast ‘ndërhyri’ Gjykata Kushtetuese, duke e cilësuar si jo kushtetuese mënyrën e zgjedhjes së tij në Kuvend.

Kjo pastaj solli një shtrëngim duarsh në mes të përfaqësuesve më të lartë politikë e ish-ambasadorit amerikan Christopher Dell, të cilët hapën zarfin e shumë përfolur, prej së cilit Atifete Jahjaga u zgjodh presidente.

Ajo mbetet presidentja e vetme e pas pavarësisë që e çoi mandatin 5 vjeçar deri në fund, kjo pasi që edhe ish-presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje në vitin e fundit të mandatit të tij pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Përveç AKR-së, Thaçi ishte bërë bashkë edhe me disa parti tjera të vogla dhe me listën Rugova që në atë kohë kishin garuar fillimisht në një listë të përbashkët me AAK-në.

Qeveria Thaçi II zgjati deri në 2014, para se Thaçi ta dërgonte personalisht vendin në zgjedhje, pasi që atij i kishte dështuar nisma për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Thaçi e kishte dërguar vendin në zgjedhje pak muaj para se atij t’i përfundonte mandati i plotë si Kryeministër.

Në zgjedhjet e 2014 edhe pse PDK doli e para, Hashim Thaçit iu deshën mbi 6 muaj që ta thyejë bllokun opozitar që ishte krijuar kundër tij.

Fillimisht asnjë nga partitë tjera nuk pranonte të hynte në koalicion qeverisës më PDK-në. LDK, LVV, AAK dhe Nisma kishin krijuar një bllok dhe njiheshin si blloku VLAN. Mirëpo pas 6 muajve, Hashim Thaçi e shkëputi L-në nga VLAN duke e marrë LDK-në në Qeveri dhe duke krijuar njërën nga Qeveritë me numrin më të madh të deputetëve.

Kjo marrëveshje politike e bëri Hashim Thaçin fillimisht ministër të jashtëm e më pas president, atëherë kur Jahjagës i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit, në prill të vitit 2016.

LDK kishte pranuar që ta merrte postin e Qeverisë ndërsa kusht e kishin pasur që pas përfundimit të mandatit të Presidentes Atifete Jahjaga, LDK ta votonte Hashim Thaçin për pasues të saj.