Kurti viziton policin e plagosur mbrëmë në Zveçan

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vizituar sot policin që është plagosur mbrëmë në Zveçan.

Këtë e bëri të ditur ai përmes një postimi në Facebook.

“Ekrem Neziri, polici që u plagos mbrëmë në veri të Kosovës, është operuar me sukses të plotë sot në QKUK. Vullnetin e kishte të fortë, kurse shëndetin e mirë. Me të këtillë zyrtarë mbahet shteti. Kriminelët do të ndiqen e dënohen” – ka shkruar Kurti.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës që është plagosur mbrëmë në veri po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai fillimisht është trajtuar nga mjeku kujdestar më Emergjencën e QKUK-së ku është pranuar rreth orës 08:30.
Mjeku kujdestar Avdush Bajgora ka thënë se ka polici ka pasur pjesë të metalit në pjesën e kraharorit.

“Janë bërë ekzaminime dhe është konstatuar se kemi pjesë të metalit apo predha në regjionin e kraharorit. Në bazë të analizave është konstatuar se pacienti është stabil dhe është dërguar në Kliniken Torakale”- ka thënë Bajgora në një prononcim për media.

Ndërsa drejtori i Klinikës Torakale Nazmi Kolgeci ka thënë se pacienti është jashtë rrezikut për jetë.
Sipas Kolgecit, atij nuk i janë dëmtuar pjesët vitale.

“Është jashtë rrezikut për jetë. Jo nuk ka prekur organe vitale. Ne kemi intervenuar në pjesën torakale”- ka thënë Kolgeci.

Ndërsa, ai ka njoftuar se Polici i lënduar do të jetë në dhomë normale gjatë trajtimit dhe pritet të lirohet pas dy ditëve.

Gjendja e policit të plagosur mbrëmë në Zveçan, mjekët në QKUK japin detaje