Albin Kurti

Kurti: Ushtria serbe po zhvillon ushtrime vetëm 30 kilometra larg kufirit të Kosovës

Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se 30 kilometra larg kufirit të Kosovës ushtria serbe është duke zhvilluar ushtrimet kryesore ushtarake të saj.

Kjo, sipas tij, është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“30 kilometra larg kufirit të Kosovës në Pashter të Sanxhakut është duke u zhvilluar, mbase dita kryesore e ushtrimit të tyre ushtarak të quajtur ‘Vihor 2024’. Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveç se është 30 km larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori, aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë të cilën nuk e njeh por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë”- ka thënë ai gjatë inaugurimit të punimeve të rrugës Kijevë – Dollc.

Ushtrimi që po e bëhet në Pashter të Sanxhakut, sipas Kurtit, përpos që paraqet kërcënim në aspektin e sigurisëi, paraqet edhe ndotjen më të madhe të ajrit e tokës në Sanxhak.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, që të marrin pjesë në votimet e 21 prillit, për të vendosur nëse duan t’i largojnë ose jo katër kryetarët shqiptarë.

Kurti tha se kryetarët shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, nuk mund t’iu merret mandati ndryshe, përpos përmes një procesi demokratik.