Kurti udhëton për në Zvicër, merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Zvicër.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti gjatë qëndrimit në Zvicër fillimisht së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të marrin pjesë në hapjen e panairit “Swissbau 2024”, ku 12 kompani vendore do të promovojnë prodhimet e tyre.

Më pas, në njoftim bëhet e ditur se kryeministri do të udhëtojë për në Davos për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), ku krahas takimeve bilaterale me homologë, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të kompanive ndërkombëtare është i ftuar edhe si folës në panele të diskutimit.

Në kuadër të këtij forumi, emisari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, konfirmoi në një bisedë me KALLXO.com se Lajçak do të marrë pjesë në forum dhe ka paraparë takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe me presidentin serb.

Forumi Ekonomik Botëror që do mbahet në Davos të Zvicrës nis sot e do të zgjasë deri më 19 janar.

Forumi Ekonomik në Davos, Lajçak do të zhvillojë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin