Miroslav Lajcak - Foto: Fatrion Ibrahimi

Forumi Ekonomik në Davos, Lajçak do të zhvillojë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin

Javën e ardhshme do të nisë Forumi Ekonomik Botëror që do të mbahet në Davos të Zvicrës, në kuadër të së cilit emisari i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano konfirmoi në një bisedë me KALLXO.com, se Lajçak do të marrë pjesë në forum, ai është paraparë të zhvillojë takim dy palësh me kryeministrin Kurti dhe një tjetër takim me presidentin Vuçiq.

“Ndër partnerët e tjerë ai është paraparë të zhvillojë një takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës Kurti si dhe një takim bilateral me presidentin e Serbisë Vuçiq. Këto do të jenë dy takime të ndara dhe jo të përbashkëta”- tha Stano për KALLXO.com.

Stano theksoi se në Davos nuk do të ketë takim të nivelit të lartë të dialogut me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Sipas zëdhënësit të BE-së, takimet e nivelit të lartë organizohen nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili nuk do të jetë në Davos.

‘Forumi Ekonomik Botëror’ që do të mbahet në Davos të Zvicrës, do të fillojë më 15 dhe do të zgjasë deri më 19 janar.

Javën tjetër mbahet Forumi Ekonomik Botëror në Davos, marrin pjesë Kurti dhe Vuçiq