Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i ri i Këshillit Europian, Antonio Costa, 03.12.2024. Foto: Albin Kurti, Facebook
Kurti u takua me Presidentin e ri të Këshillit Europian
Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, kryeministri Albin Kurti ka takuar Presidentin e ri të Këshillit Europian, Antonio Costa, i cili sonte ka mirëpritur liderët e Ballkanit Perëndimor në darkë.
“Kosova është e përgatitur dhe e përkushtuar që të përparojë në rrugën drejt BE-së. Duke e uruar për detyrën e re dhe suksese të shumta gjatë angazhimit të tij, i ofrova bashkëpunim të ngushtë e të sinqertë – gjersa vendi ynë mbetet i palëkundur në përkushtimin për integrim brenda familjes evropiane, aty ku Kosova përket.” – ka shkruar Kurti në Facebook, krahas një fotografie të përbashkët.
Kurti sot ka takuar Shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, e cila është takuar veçmas edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Kurti tha se me Kallas ka diskutuar për çështjen e integrimit europian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje – teksa tha se Kallas është “në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.
Kallas tha se ka mirëpritur gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht, pas sulmit të fundit terrorist, të ndodhur në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Autorët duhet të përballen me drejtësinë.”- ka shtuar ajo, në një postim në rrjetin social “X”.
Ajo, po ashtu, ka thënë se rruga e vetme për anëtarësim në BE është normalizimi i marrëdhënieve, bazuar në Marrëveshjen e Ohrit.
Ndërkaq, Vuçiq deklaroi se me Shefen e re të diplomacisë së BE-së ka zhvilluar bisedë të “hapur e të vështirë”.
Vuçiq shkroi në “Instagram”, se Kallas foli për: “domosdoshmërinë e dialogut me Kosovën”, “zgjidhjen e rastit të Banjskës” dhe “vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.
Ndërkaq, ai tha se është përgjigjur në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë.
Takimet e Kallas me krerët e Kosovës dhe Serbisë mbahen disa ditë, pas një shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, në Veri të Kosovës.
Këto takime dypalëshe nuk janë pjesë e Dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës e Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.
Kosova ka fajësuar Serbinë për shpërthimin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do të hetojë këtë rast.
Shpërthimi, që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist“.
Bashkimi Europian e ka cilësuar sulmin e 29 Nëntorit në Zubin Potok si “akt terrorist” e “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.
Gjykata e Prishtinës ka caktuar 30 (tridhjetë) ditë paraburgim ndaj të dyshuarit, Jovan Viqentijeviq – lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, më 29.11.2024. Të njëjtën masë, Gjykata e ka shqiptuar edhe ndaj Dragisha Viqentijeviqit, që është vëllai i të parit.
Më 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se, më 01.02.2024, ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit.
Për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonatorë mekanikë – përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.