Foto: Aleksandar Vuciq, Instagram

Vuçiq pas takimit me Kallas: Bisedë e hapur dhe e vështirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 03.12.2024, njoftoi se me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka zhvilluar bisedë të “hapur dhe të vështirë”.

Vuçiq përmes një njoftimi, ka thënë se Kallas “foli për domosdoshmërinë e dialogut me Kosovën, zgjidhjen e rastit të Banjskës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.

Ndërsa ka thënë se ai është përgjigjur në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë.

“Një bisedë e hapur dhe e vështirë me Kaja Kallas. Folëm për rrugën europiane të Serbisë, ndërsa përfaqësuesja e lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”- ka thënë Vuciq.

 

Kallas më 03.12.2024, në Bruksel do të zhvillojë takim të ndarë edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Këto takime dypalëshe nuk janë pjesë e dialogut për normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimet e Kallas me krerët e Kosovës dhe Serbisë, mbahen disa ditë pas një shpërthimi në një kanal të ujit në Zubin Potok të Kosovës. Kosova ka fajësuar Serbinë për shpërthimin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do të hetojë këtë rast.

Shpërthimi që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër- Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si sulm terrorist.

Bashkimi Europian e ka cilësuar sulmin e 29 nëntorit në Zubin Potok “akt terrorist” dhe “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit Jovan Viqentijeviq lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, më 29.11.2024.

Ndërkaq, me 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 01.02.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit.

Për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.