Situata në veri të vendit, pjesëtarë të shumtë të Policisë së Kosovës në terren pas shpërthimit të kanalit të Ibër Lepencit/ Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com
Sulmi në kanalin e Ibër Lepencit, arrestohet edhe një i dyshuar
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë, më 01.12.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok, sulm që kishte ndodhur të premten me 29.11.2024.
Sipas Policisë, i arrestuar është me personi me inicialet J. V., nën dyshimin se mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit.
“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, më datën 01/12/2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit J.V., në të cilën janë gjetur dhe sekuestruar si dëshmi katër granate dore; një pushkë gjuetie; mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm; dy karikator të armës AK-47; një karikator i pushkës së gjatë; një radiolidhje; një palë dylbi; një kamerë kamufluese; uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.
“Me urdhër të prokurorit përgjegjës të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të angazhohet në zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e personave përgjegjës para drejtësisë. Njëherit Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim” – thuhet në fund të komunikatës së Policisë së Kosovës.
Në anën tjetër, Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar tjetër nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist.
Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delloviq.
Në një konferencë për media pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Prishtinës, avokati Delleviq tha se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Lidhur me aktin terrorist, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 01:30 të mëngjesit të 30.11.2024.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Kryeministri Albin Kurti, mëngjesin e sotëm (02.12.2024) ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it, si dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, me të cilët ka diskutuar lidhur me situatën në vend pas sulmit terrorist që u bë në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, më 29.11.2024.
Pas këtij takimi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka ripërsëritur se SHBA-të e dënojnë fuqishëm “sulmin e tmerrshëm në infrastrukturën kritike të Kosovës”, e cila ka vënë në rrezik furnizimin me energji elektrike në vend, ngrohjen dhe ujin e pijshëm.