Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Foto: Këshilli Evropian.

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, viziton Kosovën më 3 qershor

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, do të qëndrojë në Kosovë të mërkurën, më 3 qershor, në kuadër të një turi disaditor në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas agjendës së publikuar nga Këshilli Europian, Costa do të zhvillojë takim me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Ai gjithashtu do të takohet me kryetarët e partive opozitare, ndërsa rreth orës 16:00 është paraparë të ketë një deklarim për media.

Vizita në Prishtinë është pjesë e një turneu rajonal që Costa ka nisur më 1 qershor në Sarajevë. Pas ndalesave në Tiranë dhe Shkup, ai do të vazhdojë më 4 qershor në Beograd, ndërsa më 5 qershor do të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.

Gjatë samitit në Tivat, Costa do të takohet me liderët e vendeve të rajonit së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kjo është hera e dytë që kur u zgjodh President i Këshillit Europian që António Costa viziton rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Ai më parë vizitoi të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor midis 13 dhe 15 majit 2025.

Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Tivat, më 5 qershor. Samiti zhvillohet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke riafirmuar forcën e marrëdhënies së BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe do të mirëpritet nga Presidenti i Malit të Zi. BE-ja do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe Presidenti i Komisionit Evropian. Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas do të marrë pjesë gjithashtu.

Tema e samitit është ‘Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor’.

Sipas njoftimit, gjatë drekës, udhëheqësit do të diskutojnë zgjerimin. Do të jetë një mundësi që BE të përsërisë angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Udhëheqësit pritet të vlerësojnë progresin e bërë në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE dhe si ta çojnë atë më tej, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ata gjithashtu do të shqyrtojnë se si të adresohen sfidat e përbashkëta dhe të forcohet siguria dhe qëndrueshmëria, në sfondin gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.