Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliç Radman. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kurti takon ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Radman uron Kosovën për vizat

Në ditën e Evropës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në Prishtinë, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grliç Radman, i cili është edhe shteti i fundit që ka hyrë në BE.

Sipas një njoftimi të ZKM-së, Radman ka uruar Kosovën dhe popullin e saj për liberalizimin e vizave dhe kalimin me sukses të fazës së parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ai ka përmendur edhe përkrahjen e Kroacisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe kandidimin në Bashkimin Evropian.

“Kurti informoi ministrin kroat për zhvillimet aktuale, punët e qeverisë dhe arritjet kryesore, ndërsa ai përcolli të falat nga kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç”- thuhet në njoftim.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se në këtë takim u diskutua edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe Planin e Zbatimit të saj, sipas dakordimit në Bruksel dhe në Ohër.

“Kryeministri e njoftoi ministrin Radman se në takimin e fundit të nivelit të lartë, që u mbajt javën e kaluar, ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazike, bazuar në modelin kroat të trajtimit të pakicave kombëtare serbe. Në lidhje me të, ai tha duke qenë vend anëtare e BE-se dhe e NATO-s, Kosova e sheh Kroacinë si tregim suksesi dhe model që duhet ndjekur për sa i takon të arriturave ekonomike dhe demokratike, por edhe për sa i përket respektimit të të drejtave të minoriteteve” – është shkruar në njoftim.

Kryeministri, Albin Kurti më 3 maj ka publikuar ‘draft-versionin’ e tij për të për të rregulluar çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Bashkë me Kurtin, në këtë takim ishin edhe Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, Shefi i Stafit, Luan Dalipi, Këshilltari për Mbrojte dhe Siguri, Kolonel Ejup Maqedonci, Këshilltarja e Lartë e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Nora Arapi, Këshilltarja politike e Kryeministrit, Zoje Surroi dhe Asistentja Ekzekutive e tij, Valë Gjonbalaj.