Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com
Kurti takon kandidatët shqiptarë për deputetë në zgjedhjet e Serbisë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka pritur në zyrë gjashtë kandidatë shqiptarë për deputetë në Parlamentin e Serbisë.
Në takim, siç njoftoi zyra për media e Kryeministrisë ishin Shaip Kamberi, Nagip Arifi, Ragmi Mustafa, Shqiprim Jonuzi, Naser Aziri e Armend Aliu.
“U diskutua gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, diskriminimi që u bëhet atyre dhe asimetria me Kosovën, ku siç dihet, në Kosovë deputetët e Listës Serbe i bojkotojnë dhjetë ulëset e rezervuara, ndërkaq në Luginë, shqiptarëve iu pasivizohen adresat dhe diskutohet nëse do të mund t’i arrijnë tre deputetë” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Gjatë takimit, u njoftua se kandidatët dhe kryeministri Kurti, u pajtuan që “një listë e përbashkët ndihmon shumë drejt përfaqësimit sa më të mirë të shqiptarëve”.
Zgjedhjet në Serbi pritet të mbahen më 17 dhjetor 2023.