Kurti takon gazetarët që u lënduan nga sulmet gjatë raportimit në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit i ka pritur në takim disa nga gazetarët që mbetën të lënduar pas sulmit nga protestuesit serbë në Leposaviq të premten.

Sipas Kurtit institucionet e kanë për detyrë që t’i mbështesin gazetarët në punën e tyre.

“Jam takuar sot me disa nga gazetarët e lënduar gjatë raportimit për ngjarjet në veri. Unë jam gjithmonë i emocionuar dhe i frymëzuar nga puna që bën një shtyp i lirë dhe i drejtë. Është detyrë e të gjitha institucioneve të tjera të mbështesin një raportim të tillë dhe t’i mbrojnë ato nga sulmet e tmerrshme”-ka shkruar Kurti në Twitter.

Që nga fillimi i protestave më 29 maj, gazetarët kanë qenë cak i sulmeve të protestuesve në komunat veriore.

Përveç që janë fyer, e penguar gjatë punës së tyre, të premten në Leposaviq gazetarët janë sulmuar edhe fizikisht, ku të lënduar kanë mbetur disa gazetarë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se nëntë gazetarë në Leposaviq janë sulmuar dhe se disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Sipas Policisë, ekipeve të mediave iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit, thuhet se iu është grabitur një telefon celular.

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve javëve të fundit në 4 komunat veriore.

Arrestohet edhe një i dyshuar tjetër për sulmet fizike ndaj gazetarëve