Kryeministri Kurti takoi ambasadorët e vendeve të QUINT-it - Foto: ZKM

Kurti takoi ambasadorët e QUINT-it, diskutojnë për dialogun, targat e automjeteve e krizën energjetike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, ka zhvilluar një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, në takim është diskutuar për zhvillimet në vend, procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për çështjet aktuale, me theks te energjia dhe vendimi i Qeverisë për targat e automjeteve.

“Për sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër” – thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në njoftim thuhet se Kurti i ka njoftuar ambasadorët për masat e Qeverisë në ndihmë të qytetarëve dhe si përgjigje ndaj krizës energjetike që ka kapluar të gjithë kontinentin e Evropës.

“Ai po ashtu foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord”- theksohet në njoftim.

Më tej, në takim është diskutuar edhe vendimi për targa për të cilin kryeministri ka thënë se nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës.

“Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për të konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po respektojmë sundimin e ligjit edhe po u japim lehtësime financiare”- është shprehur Kurti.