Albin Kurti dhe Robert Golob Foto:ZKM

Kurti takohet me kryeministrin slloven, përmend mundësitë që Kosova ofron për investitorët huaj

Në ish-rezidencën presidenciale Vila Bled, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi homologun e slloven, Robert Golob, njëherësh shtet nikoqir i Forumit të Sigurisë.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, ky ishte takimi i parë dypalësh ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kryeministrit Golob, gjatë të cilit diskutuan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.

Kryeministri Kurti i ka shprehur keqardhjen për përmbytjet dhe i ofroi solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës për popullin slloven, për humbjet e shkaktuara nga vërshimet në fillim të këtij muaji.

“Sllovenia ka strehuar disidentët tanë të parë, na ka ndihmuar në betejën tonë çlirimtare dhe tani është ndër pesë investitorët kryesorë në ekonominë tonë theksoi kryeministri Kurti dhe e falënderoi kryeministrin Golob për ndihmën dhe mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën ndër vite”- thuhet në komunikatë.

Në njoftim thuhet se kryeministri Kurti ka vënë theksin te mundësitë që Kosova ofron për investitorët huaj.

“Pozita e përshtatshme gjeografike, politikat e favorshme fiskale, stabiliteti institucional dhe potenciali i fuqisë punëtore e bëjnë Kosovën vend atraktiv për investimet sllovene, tha kryeministri gjersa veçoi sektorët në rritje sikurse ai ICT-TIK, përpunimit të drurit dhe metalit dhe prodhimit të ushqimit”- thuhet tutje në njoftimin e ZKM-së.

Në kuadër të temës “Solidaritet për Sigurinë Globale” brenda së cilës po zhvillohet forumi këtë vit, ata kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin rajonal, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe dialogun për zbatim të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

Kurti në Slloveni ka takuar edhe, të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi Miroslav Lajcak, si dhe kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov.