Kurti: Serbët në Kosovë janë të rrezikuar nga Beogradi

Në një konferencë për media, kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë folur për situatën e krijuar ditëve të fundit në veri.

I pari i vendit tha se serbët e Kosovës janë të rrezikuar nga Beogradi, duke i përmendur këtu veturat që u dogjën ditëve të fundit në zonën e veriut, për të cilat tha se asnjë serb nuk dyshon që djegia e veturave ka ndodhur nga shqiptarët.

“Serbët në Kosovë janë të rrezikuar nga Beogradi që ia djegë veturat, shtëpitë, asnjë serb nuk dyshon që  djegia e veturave ka ndodhur nga shqiptarët” – ka thënë Kurti.

Ai tutje tha se të gjithë serbët e Kosovës e dinë që edhe objekti i rreshterit të Policisë së Kosovës që u djeg dhe automjetet që u dogjën pse u konvertuan në RKS janë djegur nga strukturat që, sipas Kurtit financohen e dirixhohen nga Beogradi.

“Incidentet në veri të vendit janë të organizuara politikisht nga Beogradi me qëllim që luftimi i krimit nga institucionet tona ta maskojnë nën petkun e incidenteve etnike” – ka thënë Kurti.

Ai tutje ka thënë se së fundi janë shtuar aktivitetet kundër Kosovës nga ana e Serbisë, përfshirë këtu propagandën, përhapjen e lajmeve të rreme, inskenim të incidenteve të ndryshme dhe provokime të tjera.

“Pasqyrimi mediatik i incidenteve të ndryshme, si incidente ndëretnike është bërë përmes deklarimeve përmes krerëve shtetërorë të Serbisë duke synuar të keqpërdorin, të shtrembërojnë të dhënat e evidentuara në Policinë e Kosovës duke iu dhënë atyre ngjyrim ndëretnike” – ka thënë Kurti.

Tutje ai tha se Serbia ka vazhduar presionin që serbët në Kosovë të paraqiten të kërcënuar e kjo sipas shefit të ekzekutivit ka thënë se ka ndodhur me qëllim që komuniteti serbë të shihet si cak i sulmeve të vazhdueshme dhe se ata nuk na paskan siguri.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje, më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sot, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet.