Kurti: Qeveria nuk ndërhyn në procedura gjyqësore të Dhomave të Specializuara
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria nuk ndërhyn në procedura gjyqësore të Dhomave të Specializuara, mirëpo theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar që në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore “të ngrejë në mënyrë të vazhdueshme çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut.”
Po ashtu, ai potencoi se Qeverisa mbetet në komunikime me partnerët ndërkombëtarë dhe që të mbështes çdo iniciativë që rrit transparencën dhe standardet procedurale në këto procese.
Kurti tha se nuk kanë hezituar të ngrejnë zërin kundër vendimeve të padrejta ndaj krerëve të UÇK-së, siç ishin për shembull moslejimi i ish-presidentit Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, si dhe pranimi i dokumenteve zyrtare të shtetit gjenocidal të Serbisë si prova në procesin gjyqësor atje.
“Sa i përket pretendimeve për mungesë informacioni apo koordinimi, është e rëndësishme të potencohet se vetë arkitektura juridike e Dhomave të Specializuara, e themeluar në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe legjislacionit të brendshëm, garanton pavarësinë e plotë të saj nga ekzekutivi”- shtoi ai, pasi u pyet për këtë çështje nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu- Shoshi.
Kurti tha se një gjë e tillë nënkupton që Qeveria nuk ndërhyn në procedura gjyqësore dhe as nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në informacionet operative të proceseve në zhvillim.
“Ne kemi ngritur zërin dhe do të vazhdojmë të insistojmë që çdo proces të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm”- u shpreh Kurti.
Deputetja Ariana Musliu-Shoshi i tha Kurtit se si kryeministër e ka fuqinë për të ndërmarrë hapa konkretë ndaj kësaj gjykate.
“Ke pasur mundësinë me i rrit fondin mbrojtës, sepse e din dhe je njoftu në detaje që nuk është i mjaftueshëm. Nën dy, krejt fuqinë e ke me zhbë atë gjykatë pasi që je aq shumë kundër saj dhe e thatë që nuk e ke votuar. Pse nuk e merr iniciativën me zhbë atë gjykatë?”- shtoi Musliu- Shoshi.
Teksa gjykimi për aktakuzën e parë, në të cilën është i akuzuar bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, është në pritje të vendimit, pasi në shkurt 2026 u dhanë fjalët përfundimtare, Thaçi pritet të ketë ende punë me Dhomat e Specializuara, pasi ndaj tij pritet që së shpejti të nisë gjykimi për një rast të ndarë kundër administrimit të drejtësisë.
Përmbledhjet e dhënies së fjalëve përfundimtare:
Përmbledhja e Ditës 1 – 09.02.2026 – Fjala përfundimtare e ZPS-së
Përmbledhja e Ditës 2 – 10.02.2026 – Përmbyllja e fjalës përfundimtare të ZPS-së dhe fjala përfundimtare e Mbrojtësit të viktimave
Përmbledhja e Ditës 3 – 11.02.2026 – Fjala përfundimtare e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe nisja e fjalës përfundimtare të mbrojtjes së Kadri Veselit
Përmbledhja e Ditës 4 – 12.02.2026 – Përmbyllja e fjalës përfundimtare të mbrojtjes së Kadri Veselit dhe nisja e fjalës përfundimtare të mbrojtjes së Rexhep Selimit
Përmbledhja e Ditës 5– 13.02.2026- Përmbyllja e fjalës përfundimtare të mbrojtjes së Rexhep Selimit dhe nisja e fjalës përfundimtare të mbrojtjes së Jakup Krasniqit
Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27.02.2023. Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998-shtator 1999, kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.
Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.
Për të gjitha këto krime të pretenduara prokurori Jack Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.
Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.
Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike e veprimeve në terren frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.
Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.
Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.
Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima tjera, të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.
Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje 10 net rresht, ndërsa në fund ishte vrarë.
Aktakuza pretendon tutje se pas një ofensive serbe forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.
Aty përshkruhet edhe për 6 vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë, 6 burra ishin arrestuar, rrahur e vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë kurrë më.
Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës, në korrik të vitit 1998, një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë, në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar e vrarë.
Në këtë aktakuzë Prokuroria e Specializuar nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe atë që e cilëson si qendra e paraburgimit në Kleçkë.
Në këtë lokacion – sipas Prokurorit të Specializuar – gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Sipas aktakuzës një person tjetër kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.
Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata, sipas aktakuzës, ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre, ndërsa nuk ishin parë kurrë më.
Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura – sipas Prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.
Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.
Për aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
Sipas aktakuzës Thaçi, si dhe Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu akuzohen për ndikim në dëshmitarë. Smakaj dhe Fazliu më 10.02.2026 janë liruar me kusht. Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, koha që Smakaj dhe Fazliu kanë kaluar në paraburigm tejkalon dënimin minimal që do të merrnin nëse dënoheshin për këtë vepër penale.
Themelimi i Gjykatës Speciale
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.
Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.
Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish-deputetit Rexhep Selimit dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Salih Mustafa ishte dënuar herën e parë me 26 vjet dënim me burgim për krime lufte, kurse Gjykata e Apelit e kishte zbritur dënimin në 22 vjet burgim.
Supremja vendimin në fjalë ia kishte kthyer për rishqyrtim edhe një herë Gjykatës së Shkallës së Dytë në Hagë.
Herën e dytë Gjykata e Apelit nga 22 vjet dënim me burgim i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 15 vjetësh – dënim i cili ishte atakuar në Supreme. Ndërsa, më 26.02.2025 Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën.
Pjetër Shala, i njohur me nofkën komandant “Ujku”, u dënua fillimisht me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte, mirëpo Shalës i është ulur dënimi nga Gjykata e Apelit nga 18 në 13 vjet dënim me burgim unik.
Gjykimi në Hagë- Sot mbyllet faza e deklaratave përfundimtare