Kurti priti në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit

Me rastin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kanë pritur në vizitë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve ishin, Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

Në këtë takim u diskutua gjendja e të drejtave të njeriut në tri komunat dhe nevoja për më shumë angazhim dhe unitet të politikanëve dhe të subjekteve politike.

“Theks të veçantë në bisedë pati pasivizimi i vazhdueshëm i adresave të banorëve shqiptarë të Medvegjës, duke i lënë kështu qindra shqiptarë pa dokumentacion as të Serbisë e as të Kosovës”, thuhet në njoftim zyrës së kryeministrit.

Po ashtu, të pranishëm ishin edhe deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, Naide Beqiri e Argjend Bajrami, këshilltari komunal i Medvegjës, Fehmi Beha, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), Ragmi Mustafa dhe Arben Ferati, përfaqësues i Medvegjës në KKSh.

Foto: Zyra e Kryeministrit