Foto: Madeleine Albright/Twitter

Kurti përkujton Madeleine Albright: Avokuese e vendosur për vlerat amerikane

Në dy vjetorin e vdekjes së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kujtuar atë dhe kontributin e saj të dhënë për Kosovën.

Ai e ka quajtur atë një avokuese të vendosur për vlerat amerikane jashtë vendit.

“Kosova do të jetë gjithmonë jashtëzakonisht mirënjohëse për përkrahjen e saj të ndërhyrjes së NATO-s, e cila ndaloi krimet e papërshkrueshme të gjenocidit” – ka shkruar Kurti në rrjetin social X.

Albright u kujtua e nderua sot edhe nga Presidentja, Vjosa Osmani, e cila bëri homazhe te busti i saj në Prishtinë.

E para e vendit ka thënë se trashëgimia e Albrightit është e skalitur jo vetëm në faqet e historisë së Kosovës por edhe në strukturën e vendit.

Mikja e madhe e Kosovës, Madeleine Albright ka vdekur më 23.03.2022, në moshën 84-vjeçare. Ajo ishte figurë qendrore në administratën e presidentit Bill Clinton.

Në shenjë nderimi për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, në Prishtinë është ngritur busti i saj dhe një shesh mban emrin e saj.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e kishte nderuar Madeleine Albraight me “Urdhrin e Lirisë“.