Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair vizitë në Kosovë, takon kryeministrin Albin Kurti - 10.06.2024 - Foto: Qeveria e Kosovës

Kurti për Tony Blair: Një mik në ditë të vështira është mik i vërtetë

Kryeministri kosovar, Albin Kurti, ka publikuar pamje nga takimi me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.

“Një mik në ditë të vështira është një mik i vërtetë. I tillë është kryeministri Blair”, ishte përshkrimi i videos së shpërndarë nga Kurti.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka falënderuar Blair-in për fjalimin në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë atij fjalimi, siç tha ai, “nuk pati qeveri dhe opozitë”.

Kurti në postimin e tij tutje shkroi se është i nderuar që Blair është këtu në festën e 25- vjetorit të çlirimit.

“Përjetësisht falënderues për vendosmërinë e tij dhe përkushtimin e tij për paqe, që u bë liri e paqe për ne”, shkroi tutje Kurti.

Gjatë ditës, Blair ka zhvilluar takime të ndara edhe me krerët e tjerë të shtetit, presidenten Vjosa Osmani e kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Blair po ashtu i është adresuar sot, më 10.06.2024, deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ai është shprehur i nderuar dhe falënderues për mikpritjen që iu bë në Kosovë.

Kështu tha ai në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës të organizuar për nder të tij, në 25- vjetorin e çlirimit të Kosovës.

“Në 10 qershorin e para 25 vjetëve u arrit marrëveshja për tërheqjen të plotë dhe pa kushte të forcave pushtuese nga territori i Kosovës. Kosova ishte më në fund e lirë, njerëzit e saj kishin mundësinë të jetonin përsëri, të shpresonin përsëri, të besonin përsëri”-  ishin fjalët e para të Tony Blair, gjatë adresimit në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Blair, deklaroi se që 25 vjet, çdo ditë kosovarët janë falënderues ndaj tij.

Blair, së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, konsiderohen si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës gjatë periudhës së luftës.

Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për kontributin që ai e ka dhënë, katër të rinj në Kosovë e bartin emrin e tij.

Blair: Lufta për Kosovën nuk ishte vetëm për kosovarët, por për të gjithë ne