Foto: Miroslav Lajçak/Facebook

BE-ja zbardh agjendën e takimeve Kurti - Vuçiq në kuadër të dialogut në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë takime të ndara ne shefin e diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell dhe me emisarin special për dialogun, Mirosllav Lajçak, më 26.06.2024.

Sipas një komunikate për media nga BE-ja, takimet e ndara me liderët do të nisin nga ora 15:00, për të pasuar me një takim të përbashkët trepalësh.

BE thotë se takimi do të shërbejë për “të vlerësuar atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e përfaqësuesit të lartë dhe do të fokusohet në rrugën përpara”.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] dhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë takime të ndara me liderët duke nisur nga ora 15:00, për të pasuar me një takim të përbashkët trepalësh. Takimi do të shërbejë për të vlerësuar atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e përfaqësuesit të lartë dhe do të fokusohet në rrugën përpara”- thuhet në njoftim.

Borrell pritet që të deklarohet për media pas përfundimit të takimit të së mërkurës.

Pas më shumë se 10 muajsh “pauzë në dialog”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26.06.2024 pritet të takohen për të zhvilluar rundin e ri të bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Në mars të vitit 2024, është bërë një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.

Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Rikthimi në dialog: Çka pret opozita nga përballja e radhës Kurti – Vuçiq?