Kurti për të hyrat tatimore të Kosovës: Më gjeni një shembull të ngjashëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se arka e shtetit u mbushë nga të ardhurat tatimore më shumë sesa viteve paraparke. Ai tha të hyrat tatimore u shtuan për një të tretën.

Këto komente Kurti i bëri gjatë një vizite në Administratën Tatimore të Kosovës.

Madje Kurti thotë se dikush duhet të shikojë në historitë ekonomike të vendeve tjera, në rast se mund të gjejnë shembull si të Kosovës.

“Dikush duhet të shikojë në historitë ekonomike të vendeve, që të gjejë një shembull të ngjashëm, ku krahasuar me vitin paraprak, të hyrat tatimore shtohen për një të tretën”, tha Albin Kurti.

Në këtë takim ai u shoqërua nga ministri i Financave, Hekuran Murati ndërsa u prit nga drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj.

“Nëse e konsiderojmë që viti 2020 ishte një vit me të cilin s’krahasohesh dot, pasi që kishim pandeminë e paparë COVID 19, le ta krahasojmë me vitin 2019 dhe sërish të hyrat tatimore në vitin 2021, që është po ashtu vit i pandemisë COVID 19, janë për mbi një të pestën më të larta se sa dy vite më parë, në vitin 2019”, tha kryeministri Kurti.

Në këtë vizitë u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë, në mënyrë që mbështetja e Qeverisë, në muajt e vitet në vijim, të jetë në përputhje me nevojat dhe kërkesat që i ka Administrata Tatimore e Kosovës.