Konferenca për media e kryeminsitrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për situatën në veri, 7 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com

Kurti për dialogun me Serbinë: Ne kemi bërë hapa para, ata mbrapa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë në televizionin publik të Kosovës, RTK, ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se për t’u arritur një marrëveshje mes dy vendeve nevojiten dy palët dhe se në këtë çështje, sipas Kurtit, Kosova ka bërë hapa para ndërsa Serbia hapa mbrapa.

“Ne jemi të përkushtuar, konstruktivë, aktivë, kreativë në dialog, por për marrëveshje nevojiten të dy palët dhe përderisa Kosova ka bërë hapa para, Serbia ka bërë hapa mbrapa” – është shprehur ai.

Tutje Kurti ka thënë se Serbia në njërën anë dërgon letra e kërkesa për kthim të ushtrisë serbe në Kosovë, e në anën tjetër bën thirrje për barrikadim të veriut.

Këto veprime, sipas shefit të ekzekutivit, paraqesin veprim të paligjshëm në Kosovë, por në të njëjtën kohë Kurti e sheh këtë gjë edhe si diçka penguese para së gjithash për serbët që jetojnë në këtë zonë.

“Po qe se kemi mirëbesim dhe qëllim për marrëveshje Kosovë-Serbi për normalizim të plotë të marrëdhënieve, unë jam i bindur që kjo arrihet brenda disa muajve, mirëpo nuk nevojitet nga Kosova të kërkohet më shumë sesa që nevojitet të kërkohet nga Serbia shumë më shumë” – tha kryeministri Kurti.

Ai tutje shtoi se Serbia qartazi paraqitet si shteti ballkanik me më së shumti fuqi destabilizuese.

“Ata po kërkojnë që të dëgjohen të parët dhe më së shumti në BE, mirëpo një projektim i tillë është destruktiv në parim, ndërkaq konkretisht është edhe i papranueshëm nga ana e BE-së për shkak se bëhet gjithnjë në lidhje gjithnjë e më të ngushta me presidentin despotik Putin” – shprehet Kurti.