Kurti, Palmer dhe Kosnett diskutojnë për koordinimin mes ShBA-së e BE-së për dialogun

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim virtual me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.

Kurti në rrjetin social “Twitter” ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi me Palmer dhe ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, kanë folur edhe për nevojën urgjente që ka Kosova për t’u furnizuar me vaksina dhe rëndësinë e investimeve të SHBA-së.

“Sot kam pasur një takim virtual me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matt Palmer dhe ambasadorin Kosnett. Ne diskutuam nevojën urgjente të Kosovës për vaksina, rëndësinë e investimeve të Shteteve të Bashkuara dhe koordinimin midis SHBA dhe BE mbi dialogun. Z. Palmer na përgëzoi për fitoren e madhe dhe shprehu mbështetjen e tij”, ka shkruar Kurti.

Palmer sot ka zhvilluar takime virutale edhe me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin dhe me u.d presidenten Vjosa Osmani.