(Arkiv) Kryeministri Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Kurti: Paligjshmëria nuk do të lejohet në asnjë pjesë të vendit tonë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë diskutuan dhe erdhën në përfundime për më shumë vigjilencë e gatishmëri të të gjitha institucioneve të Kosovës që të mundësohet vendosja e paqes, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

“Nuk jemi kundër askujt sipas përkatësisë etnike por kundër sjelljeve individuale ose grupore në raport me ligjshmërinë” – tha Kurti.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar për bashkëbisedim e bashkëpunim me gjithë serbët në Kosovë.

Kryeministri Kurti theksoi se janë qeveria më demokratike e progresiste në rajon.

“Duam që komuniteti serb të merr të drejtat që ju takojnë në kushtetutë. Këto mesazhe i kemi dërguar çdo ditë. Serbia përmes grupeve kriminale dhe duke shfrytëzuar ambientin e mungesës së sundimit të ligjit për një kohë të gjatë po mban peng qytetarët në veri” – shtoi Kurti.

Kurti tha se nuk kanë heq dorë nga asnjë vendim që e kanë marrë pasi sioas tij nuk mund të heqin dorë nga ligjshmëria e kushtetutshmëria e obligimeve që i kanë marr.

“Paligjshmëria nuk do të lejohet në asnjë pjesë të vendit tonë” – u shpreh Kurti.

“Serbia dëshiron kthim në kohë të luftës ne dëshirojmë të ardhme demokratike prosperuese dhe evopiane” – tha ai.

Kryeministri tha se e shkuara duhet të ngele në të kaluarën. Sipas tij Serbët janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe duhet të distancohen nga grupet kriminale dhe dirigjimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Jemi qeveri e paqes që dëshiron ta ruaj sigurinë pa dallim feje etnie, moshe gjinie” – tha ai.

Kurti vlerësoi se Serbia nuk po e fsheh se kërkon rikthim në Kosovë.

“Në esencë kërkon ta vazhdoj luftën, luftën të cilën e humbi” – u shpreh ai.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë u mbajt gjatë ditës së sotme, për të diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në veri të vendit në ditët që kaluam.

Në ditët e fundit, gazetarët, zyrtarët policorë dhe një ekip i EULEX-it është sulmuar me mjete shpërthyese.

Gjatë ditës së djeshme pas arrestimit të ish- zyrtarit policor serb nën dyshimet se ka hedhur mjet shpërthyes ndaj KKZ-së në Mitrovicë të Veriut, qytetarët serb në veri të Kosovës pasi u lëshua alarmi, bllokuar disa rrugë në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka bërë thirrje sot për qytetarët serb që të vetëpërmbahen dhe tu lejojnë EULEX-it e KFOR-it qarkullimin në veri të Kosovës.