Kurti: Nuk do të ketë shkëmbim mes kriminelit Llune dhe tre policëve të kidnapuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se rasti i kidnapimit të tre policëve të Policisë së Kosovës dhe arrestimit të Millun Millenkoviq i njohur si Llune, nuk mund të krahasohen.

Ai tha se nuk bëjnë pazare dhe se një shkëmbim mes tre policëve dhe Llunes mund të kërkohej nga Beogradi.

“Nuk krahasohen këto dy raste dhe tek ne ka sundim ligji. Ne nuk bëjmë pazare, shkëmbimin natyrisht që mund ta kërkonte Beogradi, por ju lutem mos e përfaqësoni atë. Jeni qytetarë të Kosovë, nuk keni nevojë të paraqisni një kërkesë të Beogradit karshi Kosovës. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur, kush e ka kërkuar atë.  Kosova është vend demokratik dhe i lirë, është vendi me liri më të madhe të mediave në rajon, mirëpo kur filsni, ju sugjeroj të mos filsni në emër të Beogradit zyrtar, duke imagjinuar kërkesat e tyre më vonë“- ka deklaruar Kurti, duke iu përgjugjur pyetjes së një gazetareje në konferencë për media.

Ai tha se tre policët e kidnapuar kanë qenë në një rrugë që dikur ishte ilegale dhe kanë zyrtarë që merren me ndalimin dhe parandalimin e kontrabandës.

“Tre policët të cilët janë rrëmbyer/ kidnapuar nga njësia speciale ushtarake e Serbisë dhe nga njësia speiale anti-terror, kanë qenë aty në një rrugë që dikur ishte ilegale, pikërisht zyrtar policor që merren me ndalimin dhe parandalimin e kontrabandës. Ndërkaq përballë tyre kanë pasur njësite të specializuara të ushtrisë e xhandarmërisë së Serbisë”- është shprehur kryeministri.

Ndërkaq për Llune ai tha se ka një dosje të trashë të shkeljeve ligjore dhe veprave penale të krimeve të kryera në Kosovë teksa shtoi se arrestimi i tij i ka hedhur në panik të gjithë kriminelët.

“Ne e kemi një kriminel serb si Llune, i cili nuk është bërë kriminel as me 26 maj e as me 29 maj por ka një dosje të trash të shkeljeve ligjore të veprave penale të krimeve të kryera në Kosovë. Në Kosovë ka sundim ligji ka republikë demokratike, është e vërtetë që arrestimi i Llunes i ka hedhur në panik të gjithë kriminelët, ata nuk kanë mundur të imagjinojnë që dikush si Llune arrestohet, nuk kanë besuar se kjo do të ndodhë ndonjëherë, kjo ka ndodhë”- shtoi kreu i ekzekutivit.

Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla thotë se Qeveria e Kosovës është mobilizuar që të punojë edhe me bashkësinë ndërkombëtare që këta tre zyrtarë të kthehen në Kosovë.

“Shkëmbim mes kujt, tre policëve tanë dhe një shtetas tonë kriminel të arrestuar? Për sa i takon lirimit të tyre, Qeveria e Kosovës është e mobilizuar që të punojë edhe me bashkësinë ndërkombëtare që këta tre zyrtarë të kthehen në Kosovë, të kthehen tek familjarët e tyre sa më parë dhe unë besoj që shumë shpejt do të sjellin rezultate”- deklaroi Sveçla.

Policia e Kosovës ka konfirmuar të mërkurën se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.

Arrestimi i tij krijoi një situatë të tensionuar, ku një grup i qytetarëve serb u mblodhën pranë vendit ku ai po arrestohej, një lokal floktarësh, me qëllim që të kundërshtoheshin veprimet policore të NJSI-së që po ndërmerreshin.

Arrestimi i Millun Millenkoviqit – Llune që la të lënduar tre policë e të dëmtuara tri vetura zyrtare