(Ilustrim) Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR-it i bashkohet një kontingjent i ri nga Gjermania

Një kontingjent i ri i ushtarëve nga Gjermania i është bashkuar sot, më 23.05.2024, misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Në një komunikatë për media, KFOR ka thënë se komandanti i misionit, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, përshëndeti ardhjen e ushtarëve.

Trupat u tha se do të vendosen në Komandën Rajonale Lindje të misionit të KFOR-it.

“Ardhja e një kontingjenti të ri të paqeruajtësve gjermanë pasqyron mbështetjen e gjatë të Gjermanisë për misionin tonë dhe për stabilitetin rajonal” – citohet të ketë thënë komandanti Ulutas.

“Do të kontribuojë në aktivitetet tona të përditshme. drejt sigurisë së qëndrueshme, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë” – shtoi tutje ai.

KFOR-i tha se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët punojnë në koordinim të ngushtë.