Arrestohet personi që dyshohet se e kërcënoi kryetarin e Prishtinës dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal

Policia ka arrestuar personin B.T., i cili dyshohet se ka kërcënuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina.

KALLXO.com mëson se i dyshuari është arrestuar në Prishtinë ndërsa dyshohet se kërcënimi ka ndodhur gjatë një seance të Kuvendit Komunal të mbajtur më 08.05.2024.

Dosja që ka siguruar KALLXO.com tregon se në bazë edhe të një incizimi që është publikuar, i dyshuari kishte marrë fjalën në seancën e Kuvendit Komunal dhe pretendohet se ka thënë se “nëse në seancën e datës 24.05.2024 nuk e shtini në rend dite planin urbanistik për lagjen Kalabria, po flas në emër edhe të banorëve të tjerë dhe ju jap besën se kena me ju kallë kështu qysh jeni dhe ky është paralajmërimi i fundit”.

Pas lokalizimit të të dyshuarit është bërë arrestimi i të njëjtit.

Ai është intervistuar dhe në bazë të dokumentit që ka siguruar KALLXO.com i dyshuari kishte pranuar veprën penale dhe ai është dërguar në mbajtje.

Shënim:

Më 24.05.2024, ora 12:07 kryetari Përparim Rama ka publikuar një shkrim në profilin e tij zyrtar në Facebook, përmes së cilit thotë se nuk ka pasur asnjë kërcënim ndaj tij.

Ndërsa Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të datës 24.05.2024, ka njoftuar po ashtu për arrestimin e një të dyshuari për kërcënim ndaj Kryetarit të Prishtinës dhe Kryesuesit të Kuvendit Komunal. 

Raporti i plotë i Policisë së Kosovës.

“Komuna e Prishtinë  08.05.2024 – 15:00. Më 23.05.2024 pas hetimeve të zhvilluara është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar me dyshimin se i njëjti gjatë zhvillimit të një diskutimi lidhur me planin rregullues të një lagjeje të kryeqytetit, kishte kanosur dy zyrtarë të KK Prishtinë (kryetarin dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal). I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje” – thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.