Ilustrimi: Diar Vuçetaj

“Déjà-vu”: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës, peng i Asociacionit

Kosova mbeti jashtë agjendës në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17 maj 2024 për shkak të çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Njohësit e proceseve integruese dhe të politikës së jashtme nuk e përjashtojnë mundësinë e përsëritjes së rastit të demarkacionit me Malin e Zi, apo të liberalizimit të vizave, ku Kosova do të humb disa vite dhe në fund do të pajtohet ta bëjë atë që ka hezituar ta bëjë në fillim   

Mosdërgimi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese i draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të hartuar nga Bashkimi Europian e la Kosovën jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17.05.2024, pikërisht kur pritej që në këtë mbledhje do të finalizohej anëtarësimi i shtetit në këtë organizatë.

Vetëm 24 orë para se të mblidheshin ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të KiE-së, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, dërgoi një letër në adresë të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, duke u zotuar për përgatitjen e një drafti për “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”. Pavarësisht këtij zhvillimi, agjenda nuk ndryshoi, por ndryshoi qëndrimi i Gërvalles. Ajo tha se oferta e qeverisë “tashmë e ka humbur relevancën”.

Njohësit e politikës së jashtme konsiderojnë se kushtet e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës janë ekskluzivisht të ndërlidhura me Asociacionin.

Drejtori ekzekutiv në Institutin EPIK, Demush Shasha thotë se tashmë është e qartë që aleatët presin progres nga Kosova karshi një versioni të vetëm të draftit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e që është modeli i propozuar nga Bashkimi Europian.

Shasha elaboron dy opsionet mes të cilave Kosova duhet të bëjë një zgjedhje.

“E para, të refuzojë ngritjen e Asociacionit dhe me të edhe anëtarësimin në Këshill të Evropës, apo e dyta të bëjë progres drejt ngritjes së Asociacionit dhe të bëhet anëtare më e re e Këshillit. Secila zgjedhja ka përfitime dhe kosto të vetën, por është mbi liderët e Kosovës dhe pastaj përmes tyre për qytetarët e Kosovës që të bëjnë këtë zgjidhje”- vlerëson Shasha në një përgjigje për KALLXO.com.

Ndërsa Abit Hoxha, ligjërues dhe hulumtues në Universitetin e Agder në Norvegji, vlerëson se Kosova nuk qëndron mirë në komunikim me ndërkombëtarët. Ai thekson se problemi i veprimeve të politikës së jashtme është refleksion i mungesës së planifikimit dhe politikave të jashtme të koordinuara.

“Problemi i veprimeve të politikës së jashtme kështu ad-hoc, me letra dhe premtime, është refleksion i mungesës së planifikimit dhe politikave të jashtme të koordinuara. Rrjedhimisht, askush- e besoj as ministria vet- nuk di se çka do të ndodhë me përkushtimin – obligimin që qeveria e merr me këtë letër në këtë rast, pra pas largimit të Kosovës nga agjenda”- ka thënë Hoxha në një përgjigje për KALLXO.com.

Në rrethanat e krijuara, Shasha nuk beson se do të ketë mbledhje tjetër të Komitetit të Ministrave për Kosovën, përderisa Këshilli nuk vlerëson se janë pjekur kushtet për futjen e çështjes së anëtarësimit në rendin e ditës.

“Kushtet janë ekskluzivisht të ndërlidhura me çështjen e Asociacionit”- nënvizon drejtori i Institutit EPIK, teksa shton se “çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropian nuk do të rikthehet në agjendë pa bërë Kosova progres në ngritjen e Asociacionit”.

Pesimist shprehet edhe profesori Hoxha i cili vlerëson se tashmë është demonstruar që agjendën e Komitetit të Ministrave e përcakton agjenda e zhvillimeve politike për të cilat Kosova ka pak ndikim.

“Jo. Kjo është demonstruar tanimë që agjendën e Komitetit të Ministrave e përcakton agjenda e zhvillimeve politike për të cilat Kosova ka pak ndikim”- ka deklaruar Hoxha.

Vullneti i Qeverisë karshi draft statutit të Asociacionit

Qeveria e Kosovës më 08.05.2024 u zotua se nuk do ta pranojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, si kusht për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës. Sipas kryeministrit Albin Kurti, kjo kërkesë nuk është as parimore e as vlerore, por është absurde.

Mirëpo, sipas drejtorit të EPIK, Demush Shasha, që nga fillimi i mandatit, Qeveria ka refuzuar të bëjë çfarëdo progresi në ngritjen e Asociacionit, i cili nuk shoqërohet edhe me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Kjo sipas tij, u testua në tetor të vitit të kaluar kur Kurti ishte i gatshëm ta nënshkruante Marrëveshjen Bazë dhe draft-statutin e Asociacionit, porse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq refuzoi të bënte të njëjtën.

“Kësisoj Qeveria është në një sens shumë koherente në qëndrimet e saja refuzuese karshi ngritjes së Asociacionit”- thekson Shasha.

Edhe vetë kryeministri Kurti ka vlerësuar se më 26.10.2023, draft-statutit të Asociacionit i kishte humbur vlera, pasi është refuzuar asokohe nga Serbia dhe si të tillë tani nuk mund ta dërgojë në Kushtetuese.

Kurse Abit Hoxha thotë se është më se e qartë që Kosova duhet të përmbushë obligimet e veta të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe të mos bie pre e politikave “shantazhuese të shtetit të Serbisë”.

Siç thotë ai, interesi i lidershipit serb është që të shtyhet pafundësisht çështja e marrëveshjes dhe me këtë edhe avancimi i Kosovës.

“Pra, interesi i lidershipit serb është që të shtyhet pafundësisht çështja e marrëveshjes dhe me këtë edhe avancimi i Kosovës. Duke mos përmbushur obligimet e Kosovës, Qeveria e Kosovës po i mundësin realizimin e kësaj shtyrje politikave serbe. Pra, Kosova konkretisht duhet të krijoj asociacionin në përputhje me dokumentet ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Kosovës”- thekson Hoxha.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës nuk ka vullnet për të vazhduar dialogun dhe rrjedhimisht, dërgimi i draftit të statutit të asociacionit- çfarëdolloj që është ai, varet nga ky vullnet”- shprehet ai.

‘Repriza e vitit 2016’

Kosova rrezikon që të shkojë drejtë një situate të ngjashme me atë të vitit 2016, kur nuk e ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kjo marrëveshje u ratifikua më 21.03.2018, përmes të cilës Kosovës i hapej mundësia duke nisur me procesin e liberalizimit të vizave, proces ky që u finalizua gjashtë vite pas, më 01.01.2024.

Demush Shasha thotë se ekziston mundësia që edhe çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës të zgjasë me vite, sikurse ka zgjatur edhe procesi i liberalizimit të vizave. Sipas tij, vendi rrezikon që të hyjë në atë reprizë dhe të humbasë vite të tëra, “vetëm për t’u dakorduar në fund për çdo gjë që është hezituar që nga fillimi.

“Po- mund zgjasë me vite, njëjtë siç ka zgjatur edhe procesi i liberalizimit të vizave. Pra në një sens, në vitin 2024 rrezikojmë të hymë në reprizën e vitit 2016, ku do të humbasim vite të tëra vetëm për t’u dakorduar në fund për çdo gjë që kemi hezituar që nga fillimi”- shprehet Shasha.

Ndërkaq, profesori Abit Hoxha nënvizon se humbja e madhe politike mund të mos jetë në raport me kohën, por me vet zhvillimet politike sepse agjenda për Këshillin e Evropës mund të ndryshoj drastikisht në prioritizim ndaj çështjeve tjera më me rëndësi.

“Në fakt nuk dihet sa është humbja e Kosovës, por një gjë është e sigurt: shtyrja e të gjitha proceseve integruese për Kosovën dobëson subjektivitetin e Kosovës vis-a-vis bashkësisë ndërkombëtare dhe sfidon ekzistencën e Kosovës. Pra, humbja e madhe politike mund të mos jetë në raport me kohën por me vet zhvillimet politike sepse agjenda për Këshillin e Evropës mund të ndryshoj drastikisht në prioritizim ndaj çështjeve tjera më me rëndësi”- thekson Hoxha.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, më 17 maj 2024. Në Kosovë kishte pritshmëri se në këtë takim do të vulosej që shteti më i ri në Europë do të bëhej anëtar i 47-të i KiE-së.

Kryesuesja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, Dominique Hasler, atë ditë tha se çështja e Kosovës është përmendur disa herë në deklaratat e ministrave të Jashtëm gjatë mbledhjes së Komitetit të Ministrave.

Në një konferencë për media, ajo konfirmoi se kanë pranuar një letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës me rekomandimin për pranimin e Kosovës në KiE, dhe se brenda Presidencës po bëhet gjithçka për të avancuar këtë proces.

Ministrja e Jashtme e Lihtenshtajnit theksoi se Komiteti i Ministrave është duke zhvilluar diskutime se si të vazhdohet.

Kurse kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, e cila sot mori Presidencën e Komitetit tha se për çështjen e pranimit të Kosovës në KiE, pyetja nuk është “nëse” por “kur”.

“Pyetja nuk është ‘nëse’ por është ‘kur’- dhe procesi do të vazhdojë”- u shpreh Simonyte.

Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare.

Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KiE.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.