Njëri nga të plagosurit në Pejë është pjesëtar i FSK-së

Njëri nga personat e plagosur në incidentin me armë zjarri që ndodhi mbrëmë, më 22.05.2024, në Pejë, është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i FSK-së, Vëllazërim Qerimi.

“Po e konfirmoj, njëri nga të plagosurit është pjesëtar i FSK-së. Inicialet janë J. B.”- ka thënë ai.

Tre persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri në këtë incident të cilin Prokuroria e ka cilësuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Policia e Kosovës e ka arrestuar në orët e mesditës (23.05.2024) Agron Gashin, i dyshuar për vrasjen e rёndё nё tentativë.

Arrestimin e 21-vjeçarit e ka konfirmuar për KALLXO.com prokurori Ersan Qavolli.

Në ndërkohë, njëri prej të plagosurve në Pejë është në gjendje të rëndë, përderisa dy të tjerët janë në gjendje stabile.

I plagosuri në gjendje kritike është duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Pas një intervenimi të gjatë kirurgjik ka ardhë në Mjekimin Intensiv Qendror. Lëndimet e kanë pru pacientin në gjendje shumë të rëndë të shokut, për shkak të gjakderdhjes shumë të madhe që e ka pësu. Gjendja e përgjithshme vazhdon të jetë shumë e rëndë dhe kritike” – tha shefi i Intensivës, Shaqir Uka për KALLXO.com.

Arrestohet Agron Gashi, i dyshuari për tentimvrasjen e trefishtë në Pejë