Foto: Zyra e Kryeministrit

Kurti në Londër: Rreziku i një lufte të re është real

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit në Konferencën e Mbrojtjes në Londër që këtë vit po zhvillohet me temën “Parandalimi: ndërtimi i kapaciteteve për t’iu kundërvënë kërcënimeve globale”, tha se kërcënimi i Kosovës nga Serbia nuk është teorik, por rrezik real i një lufte të re.

“Tri nga katër brigadat e kombinuara të ushtrisë së Serbisë, duke përfshirë 48 bazat operative përpara rreth kufirit të Kosovës, pa përfshirë njësitë tjera të specializuara, janë të stacionuara në territorin jugor, afër kufirit me Republikën e Kosovës. Kërcënimi nuk është thjesht teorik. Rreziku i një lufte të re është real”- tha Kurti.

auditoriumin kryesor të Kolegjit të Mbretit (King’s College), ai tha se derisa Kosova bashkëpunon në çdo sferë me partnerët e saj, siç janë  SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian, Serbia po e intensifikon bashkëpunimin me Rusinë, Kinën dhe Iranin. 

Sipas tij, lidhja e Serbisë me Rusinë, qasja e saj shkatërruese ndaj Republikës së Kosovës dhe armatimi i saj i shpejtë dhe i madh janë tregues se ajo synon përshkallëzimin me synimin për të realizuar ambiciet e saj territoriale. 

Kurti përmendi në fjalimin e tij, rrëmbimin e tre policëve të Kosovës afër kufirit nga shteti i Serbisë, duke thënë se me këtë veprim, Serbia testoi kufijtë se deri ku mund të shkonte në një zonë të mbrojtur nga NATO. 

“Përgjigja ose më mirë mungesa e saj, që ata kanë marrë, i nxiti të vepronin sërish dhe në shtator përjetuam një sulm terrorist. Kjo nuk ishte një shkelje e rastësishme në territorin tonë”- tha ai.

Më pas, Kurti përmendi edhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, duke shtuar se rreth 100 persona të armatosur  patën një plan: për një konflikt më të gjatë dhe më të madh për të pushtuar pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Sipas Kurtit, sulmi i Banjskës ndodhi për shkak të kapjes së shtetit në Beograd dhe ambicieve agresive dhe ekspansioniste të atyre në krye. 

“Nuk është vetëm rreshtimi i Serbisë me Rusinë që sugjeron se qëllimi i atij grupi ishte të përsëriste atë që bëri Rusia në Donbas në 2014”- tha Kurti.

Për këto dy raste, Kurti tha se kanë qenë kërcënime të drejtpërdrejta nga Beogradi zyrtar.

Ai shtoi se Kosova nuk është i vetmi vend në rajon i rrezikuar nga ndonjë sulm fizik, teksa tërhoqi vëmendjen edhe tek rreziku që paraqet infrastruktura dezinformuese ruse e cila e përdor intervenimin e NATO-s për të dezinformuar mbi perëndimin. 

Kurti foli edhe për rolin kritik të NATO-s dhe aleatëve demokratikë, 25 vjet më parë me rastin e çlirimit të Kosovës dhe për rrezikun që autokratët paraqesin sot për sigurinë e vendit, Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës në tërësi.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti ka deklaruar se suksesi i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, “ka sfiduar pikëpamjet pesimiste se çfarë mund të arrinte ndërhyrja perëndimor dhe se përveçse se ndaloi gjenocidin që po zhvillohej mbi popullin shqiptar nga regjimi i Millosheviqit, i hapi rrugën rikthimit të mbi 1 milion refugjatëve, rindërtimit të 120 mijë shtëpive të djegura ose të shkatërruara”.

Ndër të tjerash, Kurti tregoi se në këto tre vite të mandatit të qeverisë së tij, Policia e Kosovës ka shkatërruar 111 grupe të ndryshme kriminale, ka sekuestruar mbi 2.4 ton substanca të ndryshme narkotike, ka shkatërruar 17 laboratorë narkotikësh dhe ka zhdukur rreth 50 mijë bimë narkotike. 

“Janë mbyllur 35 rrugë ilegale kufitare. Prej tyre, 27 u mbyllën në mënyrë të njëanshme me Serbinë, 6 në bashkëpunim me Malin e Zi dhe 2 me Maqedoninë e Veriut”- tregoi Kurti.

Në Londër, Kurti pritet të zhvillojë një takim bilateral me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili gjithashtu do të marrë pjesë në konferencë.

Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe në Parlamentin britanik, si dhe do të ketë një bashkëbisedim me Drejtuesen Ekzekutive të Institutit ODI (Overseas Development Institute), Sara Pantuliano, për 25-vjetorin e përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës.