Momenti kur sulmohet vetura e Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut

Arrestimi i Millun Millenkoviqit – Llune që la të lënduar tre policë e të dëmtuara tri vetura zyrtare

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua dje nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.

Arrestimi i tij krijoi një situatë të tensionuar, ku një grup i qytetarëve serb u mblodhën pranë vendit ku ai po arrestohej, një lokal floktarësh, me qëllim që të kundërshtoheshin veprimet policore të NJSI-së që po ndërmerreshin.

Aksioni i arrestimit të Llune, që sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijës i bandave kriminale, të lënduar la tre zyrtarë policor.

Njëri nga këta polic u lëndua gjatë kohës sa i dyshuari Millenkoviq po arrestohej, e dy të tjerë pas operacionit policor nga turma e personave që u mblodhën.

Përpos policëve, gjatë vënies nën pranga të Llunes, i cili i tentoi t’i shmangej arrestimit të tij, u lëndua edhe ky i fundit. E raporti policor tregon se edhe të dyshuarit edhe policëve të lënduar iu është dhënë tretmani i nevojshëm mjekësor.

Pas veprimeve policore të ndërmarra nga NJSI, një turmë e personave që tentuan të kundërshtojnë këto veprime sulmuan edhe ekipe të tjera të PK-së.

Me gurë e mjete të forta të dyshuarit, që në mesin e tyre kishte edhe persona të maskuar që penguan edhe punën e gazetarëve, gjuajtën në drejtim të policëve.

Tri vetura zyrtare të PK-së u thyen, e nga i gjithë aksioni u lënduan gjithsej tre policë.

Situata bëri që forcat policore të shtoheshin në lagjen e boshnjakëve. Mjete të rënda, autoblinda e edhe Topi i Ujit që shërben për shpërndarjen e turmës blinduan këtë lagje të Mitrovicës së Veriut.

Aty erdhi edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e lëvizje të vazhdueshme kishte edhe nga ekipet e EULEX e edhe ekipe të karabinierit.

Lagjja e boshnjakëve mbeti e blinduar për një kohë, deri kur ekipet e policisë vendosën të largoheshin për të vazhduar me angazhimet e tjera me qëllim të përmbushjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, pasi vlerësimit operacionale që patën për situatën e krijuar në terren.

Llune tash e një kohë ishte në kërkim të forcave të rendit, ai u kap dje rreth orës 12:00 e i njëjti po dyshohet për sulm ndaj personave zyrtar e edhe dëmtim apo asgjësim të pasurisë.

Me rastin e tij tashmë po merren Prokuroria Speciale e Kosovës. Llune po dyshohet se ka sulmuar zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në dhjetor të vitit të kaluar në veri.

Prokurori Special, Afrim Shefkiu ka thënë për KALLXO.com se në Milenkoviq dyshohet të jetë i përfshirë edhe në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it që ndodhen në fillim të këtij muaji.

Shefkiu ka thënë se kanë kërkuar bashkëpunim me KFOR-in për ofrimin e provave për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it nga protestuesit në veri, por që deri më tani ata nuk kanë ofruar asgjë.

“Fillimisht bashkëpunim ka qenë më i zbehtë. Kemi kërku nga njësitet e KFOR-it me i prezentu me na i ofru provat që i kanë, që ka pjesëtarë të KFOR-it të lënduar, ato raporte ato të dhëna me na i prezentu neve”- tha ai.

Prokurori ka thënë për KALLXO.com se i arrestuari sot është i përfshirë në sulmin ndaj zyrave të KKZ-së bashkë me Dejan Pantiq i cili u arrestua nga Policia në dhjetor.

“Personi, Millun Milekoviq është arrestu sot në ora 12:00 për shkak të veprës penale “sulmit terrorist” që ka ndodh në dhjetor të vitit të kaluar në zyrat e KKZ-së i implikuar me disa persona të tjerë si rasti “Pantiq” dhe të tjerë. Dyshohet edhe për këto vepra penale, natyrisht që Policia janë duke punuar në atë drejtim, në sigurimin e provave. Është rast i veçantë por provat do të sigurohen nga Policia e Kosovës që ka qenë i implikuar në sulmet ndaj KFOR-it”- tha Shefkiu për KALLXO.com

Prokurori Shefkiu tha se kanë siguruar prova që implikojnë Milun Milekoviqin në “sulmin terrorist” ndaj zyreve të KKZ-së, duke përmendur komunikimet që ka bërë Milekoviq dhe prova ku shihet prezenca e tij  në vendin ku ka ndodhur sulmi.

Shefkiu bëri të ditur se Milekoviq ka shfrytëzuar të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje në prezencë të avokatit mbrojtës.

VIDEO – Prokurori i rastit: KFOR nuk ka ofruar ende prova për sulmet ndaj tyre në protestën në Zveçan