Ambasadori Jeffrey Hovenier në takim me presidenten Vjosa Osmani / Foto: Presidenca e Kosovës

Hovenier takon ndaras Osmanin e Abdixhikun, flasin për agjendën ndërkombëtare të Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka zhvilluar takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Siç njofton Presidenca, Osmani dhe diplomati amerikan kanë diskutuar lidhur me bashkërendimin e agjendës ndërkombëtare si dhe çështjet e sigurisë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar lidhur me bashkërendimin e agjendës ndërkombëtare, çështje të sigurisë, duke pasur parasysh kërcënimet e vazhdueshme dhe destabilitetin e krijuar nga Serbia, çështje që kanë të bëjnë me të drejta të komuniteteve joshumicë, përpjekjet e përbashkëta për luftimin e dhunës mbi baza gjinore, si dhe një sërë çështjesh të tjera të interesit të përbashkët”- thuhet në njoftim.

Ndryshe nga Osmani, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pati një drekë pune me ambasadorin Hovenier.

“Një drekë pune e rregullt, me ambasadorin e ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Kënaqësi, si gjithëherë bashkëbisedimi e pajtimi për vizionin euroatlantik të Republikës së Kosovës, si dhe ecjen e ngushtë me ShBA-të në të gjitha rrugëtimet tona përpara”- ka shkraur Abdixhiku në Facebook.

Takimet e Hovenier vijnë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, më 17.05.2024, për shkak të çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në Kosovë kishte pritshmëri se në këtë takim do të vulosej që shteti më i ri në Europë do të bëhej anëtar i 47-të i KiE-së.

Por, nga disa shtete Kosovës i është kërkuar dorëzimi i projektstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim në këtë organizatë.

Në anën tjetër, partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.