Panairi i 24-të i Librit “Prishtina 2024” mbahet nën moton “Përgjigjja është libri”

Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK) ka bërë të ditur se edicioni i 24-të i Panairit të Librit në Prishtinë do të mbahet prej 5 deri më 9 qershor 2024, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

SHBK- ja ka njoftuar se ceremonia e hapjes do të bëhet më 5 qershor në orën 12:00.

Ky panair mbahet me moton “Përgjigjja është libri”, ndërsa sipas SHBK-së, do të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Do të ekspozohen rreth 6 mijë tituj, prej tyre 2 mijë tituj të rinj.

Po ashtu në kuadër të këtij panairi do të shënohen edhe 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkas dhe disa aktivitete tjera.

“Mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ku spikasin:- I ftuari i nderit shkrimtari francez Eric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots; botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosjes, po ashtu i ftuar i nderit”- thuhet në njoftimin e SHBK-së

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 4 0000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate.

SHB-ja thotë se gjatë panairit do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë.

Panairi i Librit ‘Prishtina 2024” organizohet nga SHBK-ja me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë.