Dosja ndaj të dyshuarit për rastin në Pejë: 'Kanosje ndaj prokurorit' , 'goditje me veturë ndaj policit'

Agron Gashi, i dyshuar për vrasjen e rёndё nё tentativë e cila ndodhi mbrëmë më 22.05.2024 në Pejë, ku mbetën të plagosur tre persona, sipas njoftimit të Policisë është arrestuar në orët e mesditës (23.05.2024)

Arrestimin e 21-vjeçarit e kishte konfirmuar për KALLXO.com prokurori Ersan Qavolli.

Ndaj tij brenda afateve ligjore, Prokuroria e Pejës pritet të kërkojë cktimin e masës së sigurisë.

Për Kallxo.com kjo Prokurori ka dhënë detaje mbi të kaluarën kriminale të këtij të dyshuari duke thënë se i njëjti ka pasur aktakuzë për rrezikim të trafikut publik dhe ka një kallëzim penal për kansoje ndaj prokurorit Qavolli që ndërlidhet me rastin e rrezikimit të trafikut publik.

“Ka qenë i akuzuar për rrezikim të trafikut publik, e ka shkel një polic dhe ka ikur nga vendi ngjarjes. Ka qenë në arrati një kohë, është arrestu, ka qenë në paraburgim. Njëkohësisht ky e ka edhe një kallëzim penal për kanosje ndaj prokurorit Ersan Qavolli. Në qat periudhë kur ka qenë për rrezikim të trafikut publik“ – tha Shkodran Nikçi zëdhënës i Prokuorisë së Pejës për KALLXO.

Në ndërkohë, njëri prej të plagosurve në Pejë është në gjendje të rëndë, përderisa dy të tjerët janë në gjendje stabile.

I plagosuri në gjendje kritike është duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Pas një intervenimi të gjatë kirurgjik ka ardhë në Mjekimin Intensiv Qendror. Lëndimet e kanë pru pacientin në gjendje shumë të rëndë të shokut, për shkak të gjakderdhjes shumë të madhe që e ka pësu. Gjendja e përgjithshme vazhdon të jetë shumë e rëndë dhe kritike” – kishte thënë shefi i Intensivës, Shaqir Uka për KALLXO.com.