Foto: ZKM

Kurti udhëton për në Mbretërinë e Bashkuar, pritet të takohet me Cameronin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar. 

Atje, Kurti do të marrë pjesë në Konferencën e Mbrojtjes që do të mbahet në Londër, ku edhe do të jetë folës kryesor, njofton Zyra e Kryeministrit.

Në Londër, Kurti pritet të zhvillojë një takim bilateral me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili gjithashtu do të marrë pjesë në konferencë.

Në fillim të vitit 2024, Cameron e vizitoi Kosovën për herë të parë, ku mbajti takime me kryeministrin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla. Cameron, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë kishte vizituar edhe pjesëtarët britanikë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe në Parlamentin britanik, si dhe do të ketë një bashkëbisedim me Drejtuesen Ekzekutive të Institutit ODI (Overseas Development Institute), Sara Pantuliano, për 25-vjetorin e përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës.

Sipas njoftimit, bashkëbisedimi do të transmetohet drejtpërdrejt në uebfaqen zyrtare të ODI dhe përmes Zoom-it më 23.05. 2024 nga ora 17:30h sipas orës lokale.