Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti, nga Parisi në Malaga të Spanjës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Parisi i Francës ka udhëtuar për në Malaga të Spanjës ku do të marrë pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë 2023.

Sipas një komunikate për media nga Qeveria e Kosovës, i titulluar “Evropa në krye”, ky kongres do bashkojë krerë e liderë të shteteve e qeverive të udhëhequra nga parti simotra, aktivistë e mbështetës nga e gjitha Evropa për të diskutuar çështje, zgjedhur udhëheqësinë e PES dhe përgatitur për zgjedhjet e ardhshme evropiane.

Gjatë kësaj pjesëmarrjeje njëditore, kryeministri Kurti do të jetë i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Kurti në Francë ka marrë pjesë në Forumin e Paqes që u organizua në Paris.

Ai bashkë me bashkëshorten e tij, Rita, janë pritur të enjten në Pallatin Élysée, nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron.

Kryeministri Kurti me bashkëshorten priten nga presidenti Macron dhe Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron