Kurti: Nëse nuk do të ketë sanksione ndaj Serbisë, definitivisht nuk do të ketë dialog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nëse Serbia nuk dënohet apo nuk i vihen sanksione për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, atëherë nuk do të ketë as dialog.

Në një intervistë për Financial Times, Kurti ka treguar ‘kushtin’ e tij për vazhdimin e procesit të dialogut.

“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog”- ka thënë Kurti.

“Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin”- ka theksuar tutje ai.

Në intervistën e tij, Kurti ka thënë se sulmuesit janë përpjekur “të nisin një konflikt të ri të armatosur, një luftë të re në Kosovë për të aneksuar pjesën veriore të vendit tonë”.

Ai ka thënë se pas sulmit të 24 shtatorit, “gjithçka ka ndryshuar. Ne nuk mund të kthehemi në punë si zakonisht.”

Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian i cili do të mbahet më 26 tetor.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ndodhi një sulm terrorist.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mirëpo autoritetet në Kosovë kanë theksuar se prapa këtij sulmi janë institucionet e Serbisë.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga faktori ndërkombëtar vendosjen e sanksioneve për Serbinë, mirëpo ata kanë deklaruar se do të presin hetimin e institucioneve të drejtësisë për të vendosur për hapat tutje.